Nga Aladin Stafa/

Sic gjerësisht dihet tashmë, pas riardhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë, dekrete të ndryshëm janë firmosur me një impakt të gjerë në të gjithe globin. Një nga më të përfolurit është dhe vendosja e tarifave të larta, dekret që sjell jo vetëm pasiguri ekonomike por edhe gjeopolitike. Bashkimi Europian, gjendur si një zonë qëndrore mes hapësirave transatlantike dhe atyre në Lindje, duket të jetë destinuar të ndjejë më së shumti cdo ndryshim kursi që ndodh vazhdimisht në skajet e botës. Në këtë momentum kaotik dhe jo fort të qëndrueshëm për të gjithë, kontinenti duhet t‘i përshtatet gjeopolitikës së realpolitikës.

Por cfarë do të thotë kjo situatë e re për Europën?

Që prej viteve 1950, shtetet europiane janë mbështetur fort tek një garanci sigurie nga SHBA, nën atë organizëm që të gjithë ne e njohim, NATO. Trupa amerikane janë stacionuar prej kohësh në Europe dhe jo vetëm duke luajtur një rol kyc në sigurinë dhe paqen e kontinentit që prej Luftës së Dytë Botërore. Ky organizëm ka bërë gjithashtu edhe investime të shumta në infastrukturën ushtarake duke kontribuar zëshëm në uljen e tensionit në frontet më të nxehta në kontinent.

Tepër e fortë në qëndrueshmërinë e rolit të saj, në këtë sektor, SHBA duket se krijoi një rehati për Europën e cila u ndje jo fort mirë sapo dicka luajti në këtë aks të botës. Një ndryshim kursi, si në personel por edhe në para, pritet të ndikojë në humorin e kontinentit. Dhe realiteti është ky: nën administratën e dytë të D. Trump, Europa po përpiqet të kuptojë se cfarë nuk shkon për më tej duke ripozicionuar edhe njëherë raportet strategjike me aleatin e padiskutueshëm, SHBA-në.

Europa është tërësisht e bllokuar në politiken e saj të jashtme, si pasojë e një mbështetjeje prej dekadash në vlerat e përbashkëta të një diplomacie të mirë dhe konstruktive sa i takon marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo ka funksionuar prej kohësh brenda një sistemi liberal, duke përfshirë këtu jo vetëm Bashkimin Europian por edhe alenca të tjera si NATO apo partneriteti transatlantik.

Por shfaqja në skenë e aktorit kryesor me një regji tashmë të paparashikuar, një lloj ´Mjellme të Zezë´, po krijon jo pak stuhi në horizont. Në të vërtetë Presidenti Donald Trump e sheh botën jo aq të ndërlikuar. Për të, fuqia dhe interesi kombëtar prevalon ndaj aleancave afatgjatë apo vlerave të përbashkëta, të besuar aq fort nga burokratët europiane. Problemi është se Europa nuk di si të përgjigjet në këtë qasje të re realpolitike, duke funksionuar vetëm në nivelin teorik.

Ndryshe nga Trump i cili funksionon në një botë të marrëveshjeve dypalëshe, në rastin më të mirë ´win-win´, Europa ka ngecur në një politike naive të bazuar në disa rregulla teknike dhe besimi reciprok, panoramë që presidenti i ri i SHBA-së as nuk e respekton dhe as nuk e ndjek dot. Kjo e vendos BE-në në një pozitë të pasigurtë, pasiqë ajo pret parashikueshmëri dhe stabilitet nga partnerët e saj, e jo përcarje, spontanitet apo skena dramaciteti. Për ta boritë në atë teatër dramatik në Shtëpinë e Bardhë, ranë si një këmbanë alarmi në atë gjumë të gjatë luksi që kontinenti e jetoi pak më gjatë se zakonisht. Duke humbur kështu dhe ndikimin e saj nën formësimin e një bote të re.

Politikat proteksioniste të cilat Trump po i ndjek, me motivin se ‘Amerika vjen e Para‘, po e shfaqin Europën tepër të brishtë dhe të pamundur përballë situatave të papritura. Duke humbur disa prej investimeve dhe përqëndrimin tek NATO, Europa po përballet me nevojën imediate për të unifikuar strategjinë e saj, sidomos me luftën në Ukrainë dhe kërcënimit të hapur për aneksimin e Groenlandës. Supozimi se SHBA-të nuk mund të jenë më një aleat besnik për ta, tashmë duket se sytë i kanë kthyer drejt Lindjes së Largët. Të famshmit të ashtuquajtur ´kundërshtarë´prej shekujsh.. Rusia dhe Kina.

Një rrugë e re kjo, të paktën për t’i dhënë pak frymë sfondit ekonomik. Tarifat e larta, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe marrëveshjet tregtare mund të sjellin kapitullimin e disa raporteve mes aleatëve duke shërbyer njëkohësisht dhe si një nxitje për Europën për të mos neglizhuar kahun lindor të botës, pasiqë përtej shqetësimeve politike dhe sigurisë, mbijetesa në ekonomi vjen e para.

Rindërtimi i një sfondi gjeopolitik të ri, momentalisht, po vë në pikëpyetje pozicionin e Europës në një rend të ri botëror dhe po aq sigurinë e saj afatgjatë. Duke qenë e mësuar gjithnjë në një sistem bashkëpunimi mbështetës, Europa e ka të vështirë qasjen e re të saj në një tryezë botërore, autonome dhe të pavarur. Pikërisht është kjo sfida më e madhe që ajo ka.

Ndërsa në Bruksel retorika e mbështetjes tek ‘forcat e veta‘ po idealizohet dita-ditës, realiteti flet krejt ndryshe. Kjo fuqi e fjalëve mbetet ende e largët. Aq sa mund të thuhet se pa SHBA-në, nuk ka më Europë. Nga ana tjetër një cënueshmëri konstante ndaj NATO-s, jo vetëm që do të ekspozonte shtetet anëtare por dhe mund të hapte vatra të së shkuarës, pikërisht në zonën e Ballkanit, ku ndikimi rus influencon jo pak në botën sllave. Një problem i shtuar ky, që Europa nuk e ka luksin ta përballojë.

Përfundimi?

Europa duhet të veprojë e bashkuar, si një trup i vetëm duke pasur interesa dhe qëllime të njëjta. E përkthyer ndryshe në aftësi operacionale, politika konkrete dhe veprime të koordinuara ndërmjet shteteve anëtare. Pa lënë pas, pse jo dhe idenë e një zgjerimi, që në këto momente duket më i nevojshëm se kurrë. Politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, Europa ende nuk është gati dhe këtë fakt, më mirë se kushdo e di presidenti D. Trump. Për këtë arsye, gjuha e tij vazhdon të jetë kërcënuese dhe ofensive.

Por a dëshiron vërtet Trump rrënimin e Europës dhe krijimin e aleancave të reja? Cfarë e bezdis kaq shumë këtë të fundit?

Fakti se krerët e BE-së mbeten politikanë të vlerave të moralit dhe teknicienë burokratë me tepri, kjo patjetër e ngadalëson marrjen e masave për një kundërpërgjigje ndaj kësaj situate të krijuar. Bashkimi në një skuadër idesh, mes shtetesh dhe egosh ia vështirëson shumë Europës forcën si një entitet i vetëm.

E ndërsa cdo ditë BE po prodhon një lajm të ri në arenën politike dhe ekonomike të tabloideve kryesore të botës, rrezikon në të njëjtën kohë të mbetet një spektator në një botë të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga lufta për pushtet dhe vendimet e njëanshme. Kontinenti më i vjetër, më i kulturuar e njëkohësisht më i arsimuar dhe më elegant për stilin e jetës, papritmas po shfaq në dritë frymën përcarëse që kishte amplifikuar ndër vite. Ndaj dhe në rast të një mosbashkimi vëllazërie, shumë shpejt ´princesha´ Europë edhe mund të vdesë.