Fatmir Mediu, që sa herë ka gjyqin për Gërdecin, shkon në Amerikë, për të treguar se ka mbështetje dhe nuk duhet dënuar, ka postuar një foto nga një restorant, me kongresmenin Keith Self. Interesant është fakti, se Mediu thotë që ka diskutuar me të për zhvillimet në Serbi, Bosnje e Kosovë.

Tani se ça lidhje ka Mediu me këto vende dhe çfarë roli ka ai, për të zgjidhur konfliktet në Ballka, vetëm Mediu e di. Se fjala vjen, nëse do ishte ende ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, edhe mund të jepte ndonjë mendim, por sot për sot ai nuk ka asnjë rol në qeverisje, e aq më tepër në Ballkan, që mund t’i dëgjohej zëri e të jepte ndonjë mendim.

“Takimin me kryetarin e Komitetit për Europën Kongresmenin Keith Self, folëm mbi situatën e sigurisë në Ballkan. Zhvillimet në Serbi, Bosnjë dhe Kosovë.

– Zgjedhjet parlamentare në 11 Maj në Shqipëri dhe detyrimin e Shqipërisë si vend i NATOs per të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme jashte influences te krimit dhe korrupsionit, blerjes se votave dhe intimidimit te votuesve, përdorimit të administratës shtetërore për qellime elektorale të qeverisë socialiste.

– Komiteti për Europën do diskutojë per sigurine në Ballkan dhe rolin e NATOs, por dhe standartet demokratike”, shkruan Mediu.

Foton dhe “takimin” e Mediu, e ka postuar edhe vetë Sali Berisha, që në pamundësi për të shkuar vetë në Amerikë, pasi është non grata, mburret me fotot e Mediut.