Më shumë sesa i kënaqur, ishte i lehtësuar. Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, u paraqit pikërisht i tillë përpara gazetarëve pas fitores 3-0 ndaj Andorrës, e para në grupin eliminator të Botërorit. Braziliani shpjegoi sesi u luajt ndeshja, si e vlerëson kundërshtarin, dhe sesa I kënaqur është me paraqitjen dhe rezultatin.
“Një grup i vështirë. Ishte detyrim që të fitonim sot që të mbeteshim në garë. Nuk është e lehtë të luash në këto kushte, sepse kundërshtari kishte vlera. Andorra luan me zemër. E kam parë. Këtë skuadër e njohim prej kohësh. Mendoj se dy ditë pas lodhjes me Anglinë, luajtëm mirë. Edhe atje ndeshja nuk ishte e gabuar, por ndryshuam nga ana strategjike. U paraqitëm mirë. Dolën mirë edhe ndryshimet për shkak të lodhjes, edhe strategjia e ndryshuar. Arritëm rezultat të mirë, e merituam. Kishte 2 apo 3 muaj që nuk fitonim kështu. Kjo na jep besim. E vërtetë që sezoni nisi pikërisht tani për ne, por gjithçka ndodh shumë shpejt. Në qershor kemi një duel vendimtar”. Ndaj Anglisë u mbrojtëm, kundër Andorrës ishim në sulm. A e ka idenë trajneri sesi duhet të luajë Shqipëria përballë rivalit të radhës, Serbisë?
“Shikoni. Po e përsëris që gjithçka ndodh shumë shpejt. Ne duam që të kualifikohemi për në Botëror dhe duhet të bëjmë më shumë. E dimë se nuk është e lehtë. Rruga është në malore. Këtë herë ishim nën presion sepse duhej të fitonim. Nëse nuk merrnim tri pikët gjithçka bëhej më e vështirë. Për ndeshjen me Serbinë duhet të punojmë mirë nga ana strategjike. Duhet të jemi të përqëndruar. Shumë lojtarë bënë sakrifica të mëdha në “Uembli”. Kishim përballë ekipin që doli dy herë në finalet e Europianit. Nëse nuk do të kishim luftuar fort, do të na kishin shënuar 5 gola në 45 minuta. Rivalin e radhës e njohim, e kemi ndjekur, por duhet ta studiojmë edhe më mirë. Unë jam I lumtur sepse për momentin kam shumë lojtarë me dëshirë, dhe që kanë karakteristika të ndryshme. Kjo është mjaft mirë për një trajner. Keqardhje që dikush luan, e dikush jo, por unë kam alternativa sipas ndeshjes dhe sipas asaj që duam të arrihmë. Jam I kënaqur me këtë”.