Në prag të garës së dytë të Botërorit 2025, Formula 1 tronditet nga një lajm i hidhur. Në moshën 76 vjeçare dhe pas një beteje të gjatë kundër kancerit është ndarë nga jeta Eddie Jordan, një nga emrat më të mëdhenj dhe vizionarë të sportit të automobilizmit.
Irlandezi ishte themeluesi dhe pronaro i skuderisë Jordan, që garoi në pistat e Formula 1 që nga viti 1991 deri në vitin 2005.

Nëse bota njohu Michael Schumacher, merita ishte e gjitha e Eddie Jordan, që I dhuroi debutimin në vitin 1991 në garën për Çmimin e Madh të Belgjikës, përpara se piloti gjerman të fitonte 7 herë titullin kampion për t;u kthyer në një legjendë.
Po ashtu, nga skuderia e tij dolën të tjerë kampionë të mëdhenj në historinë e Formula 1 si Damon Hill, Eddie Irvine,
Rubens Barrichello, Giancarlo Fisichella apo Heinz-Harald Frentzen.

Arritjen më të madhe Eddie Jordan dhe skuderia e tij e shënou në vitin 1999, ku fitoi edhe dy gara dhe mori vendin e tretë në renditjen e përgjithshme të skuadrave.
Në historinë e saj, skuaderia irlandeze numëron 250 gara për Çmimet e Mëdha dhe 4 fitore, e fundit ajo e Fisichella në cirkuitin Interlagods të Brazilit në vitin 2003.

Dy vite më pas, Eddie Jordan e shiti skuderinë te Midland, përpara se ajo të ndryshonte emër në Spyker dhe Force India, ndërsa në rrënjët e saj, sot garon në pistat e Formula 1, Aston Martin.
Më pas, ai punoi si komentator në garat e Formula 1, dërisa pak vite më parë zbuloi sëmundjen e rëndë që i mori edhe jetën.