Federata e Futbollit organizoi një mini-turne futbolli në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me pjesëmarrjen e vajzave të UN Women, gazetareve sportive dhe vajzave të stafit të administratës së FSHF-së.
Ky aktivitet kishte për qëllim përcjelljen e mesazheve sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për barazinë gjinore, luftën kundër dhunës dhe diskriminimit etj.
Në një prononcim për fshf.org, gazetarja sportive Vilma Masha, zyrtarja e FSHF-së Pamela Ndocaj dhe përfaqësuesja e UN Women Alba Agolli, vlerësuan këtë aktivitet dhe dhanë mesazhet e tyre, duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore, fuqizimin e figurës së gruas dhe thyerjen e paragjykimeve.
Sporti u cilësua si një simbol solidariteti, ndërsa u bë thirrje për më shumë unitet mes grave për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Mesazhi kryesor ishte se 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime dhe ndryshim.
“Modeli i suksesit, në fakt, është shumë i rëndësishëm jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Besoj se media e ka bërë në një farë mënyre detyrën e saj. Ne përpiqemi çdo ditë që të promovojmë histori suksesi të njerëzve të cilët kanë ngritur lart emrin e vendit, po ashtu edhe emrin e tyre.
Duke promovuar sportin, duke promovuar vlerat e rëndësishme që ai përcjell dhe po ashtu të gjithë angazhimin dhe impenjimin për të ecur përpara, që përballë çdo vështirësie ti mund t’ia dalësh edhe pse je grua, përkundrejt paragjykimeve apo gjithçkaje tjetër.
Në këtë 8 Mars do të doja që gratë të besonin më shumë te vetja, të besonin më shumë te aftësitë e tyre dhe të thyenin çdo paragjykim, aq më tepër atë mashkullor”, – Vilma Masha, gazetare sportive.
“Për mua kjo ndeshje është një festë e solidaritetit të vajzave dhe grave. Nuk është thjesht një lojë, por është një mesazh i fortë që ne duam të japim dhe të themi që, të bashkuara, mund të kalojmë çdo lloj kufizimi dhe vështirësie. Pra, është mënyra jonë për të treguar që 8 Marsi nuk është vetëm një ditë për lule, por edhe për veprime dhe ndryshim”, – Pamela Ndocaj, zyrtare e FSHF-së.
“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, mesazhi që kemi për gratë dhe vajzat është që duhet të jemi të gjitha bashkë për të gjitha gratë dhe vajzat. Kjo ditë i dedikohet të gjithave, por duhet të jemi të gjitha bashkë në mënyrë që të kemi një shoqëri më të barabartë, me më shumë të drejta, sidomos mes burrave dhe grave”, – Alba Agolli, përfaqësuese e UN Women.