Një grevë 24-orëshe e nisur nga sindikata Verdi ka shkaktuar ndërprerje masive të fluturimeve në Gjermani këtë të hënë duke prekur 13 aeroportet kryesore të këtij vendi përfshirë këtu Franksurtin, Mynihun, Berlinin dhe Dyseldorfin.
Shoqata e Aeroporteve Gjermane thote se mbi 3,400 fluturime janë anuluar në total, duke prekur kështu rreth 510,000 pasagjerë .
Në aeroportin e Frankfurtit, më i ngarkuari në Gjermani, janë anuluar 1,054 nga 1,116 fluturimet e planifikuara, duke ndaluar pothuajse të gjitha nisjet e pasagjerëve.
Situatë e ngjashme është edhe në aeroportin e Berlinit Brandenburg, ku të gjitha fluturimet janë anuluar, ndërsa aeroporti i Hamburgut ka ndërprerë plotësisht nisjet dhe pritet të përballet me vonesa në mbërritjet.
Aeroporti i Këln/Bonn ka pezulluar të gjitha shërbimet për pasagjerët, ndërsa Mynihu po operon me një orar të reduktuar të fluturimeve.
Sindikalistët e Verdi-t po kërkojnë një rritje page prej 8%, një rritje minimale mujore prej 350 eurosh, më shumë ditë pushimi dhe bonuse më të larta. Megjithatë, punëdhënësit kanë deklaruar se këto kërkesa janë të papërballueshme, duke shkaktuar ngecje në negociata. Raundi i radhës i bisedimeve pritet të zhvillohet më 14 mars.
Fluturimet në 13 aeroportet gjermane pritet të kthehen në normalitet të martën e 11 marsit ndërsa pasagjerët janë udhëzuar këtë të hënë që të komunikojnë me linjat ajrore për të riplanikfuar udhëtimet e tyre.