Bisedimet për koalicionin mes partive të Unionit Kristian (CDU/CSU) dhe Partisë Social Demokratike (SPD) për formimin e qeverisë së re në Gjermani kanë nisur zyrtarisht.

Siç raporton “Der Spiegel’, delegacionet nga Unioni Kristian Demokrat (CDU), Unioni Kristian Social (CSU) dhe SPD-ja dje u takuan në Berlin. Grupet e punës, secili prej partive i përbërë nga 16 anëtarë, kanë një afat deri më 24 mars për të hartuar një marrëveshje koalicioni.

Priten negociata të ashpra mes palëve edhe për çështjet e emigracionit, buxhetit, taksave dhe mbrojtjes. Drejtuesit e CDU/CSU-së dhe SPD-së thuhet se kanë vendosur rregulla të rrepta për anëtarët e grupeve të punës për të parandaluar rrjedhjet e informacionit gjatë negociatave.

Raportet përfundimtare të grupeve të punës do t’u paraqiten kryetarëve të partive.
Nëse hartohet një marrëveshje koalicioni, ajo duhet të miratohet nga komisionet përkatëse të tre partive. SPD-ja gjithashtu dëshiron që anëtarët e saj të miratojnë marrëveshjen.