Një rezultat vërtet historik. E tillë kur Atalanta fiton 4-0 në fushën e Juventusit, siç ndodhi në përballjen e Serisë A.
Bergamaskët u treguan të vërtetë për epitetin e tyre, “Dea”, që do të thotë Perëndesha, ndërsa “Zonja e Vjetër” u duk si një njeri në prag të shuarjes.
Në këtë festival pjesën e tij e bëri edhe Berat Gjimshiti, I cili siguroi penalltinë për golin e parë të shënuar nga Retegi.
Kapiteni I kombëtares ishte titullar e luajti deri në fund, dhe për fat është në formë në prag të ndeshjeve të kuqezinjve në Kupën e Botës. Ai mori notë të shkëlqyer nga “Skaj Sport”, 7.5, si dhe notë të mirë nga “Eurosporti”, 6.5.
Golat e tjerë për Atalantën I shënuan Den Ron në 46’, Zapakosta në 66’ dhe Lokman në 77’.
Kishte 58 vjet që Juventusi nuk mundej 0-4 në shtëpi në Serinë A, që kur e mposhti Torino në derbi në 1967, ndërsa I kishte ndodhur edhe në 1955-1956 e 1947-1948.
“Dea shkatërron Juven, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Atalantë marramendëse, për titullin është garë treshe! Makth për Motën, disfatë historike 0-4!
“Një goditje për vdekje, – vlerëson “Il Korriere delo Sport”, – Atalanta dominon në stadium! Leksion Motës dhe -3 pikë nga Interi!”
Tifozët I janë vërsulur drejtuesve, trajnerit e lojtarëve.
Në rrjetet sociale është masakër e vërtetë ndaj Juves, dhe kjo pritej, ndërsa akuzohet Tiago Mota, Kolo Muani e të tjerë, duke u tallur me iluzionin se mund të fitohej titulli.
Po ashtu, duke I kërkuar falje me ironi ish-trajnerit Alegri, duke shkruar se janë të lodhur nga turpërimet, dhe duke thënë se shpresat për titull ishin përralla.
Në Torino ka kryengritje dhe e përditshmja e qytetit, “Tutosport” paralajmëron klubin: Mjaft me kaq! Turpërimi me Atalantën mund t’i kushtojë stolin Motës!
Besohet se trajneri brazilian mund të mbyllë aventurën me “zebrat”, ndoshta edhe nëse sigurohet Championsi për sezonin e ardhshëm