Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ndaloi Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë, department ky I drejtuar nga Elon Musk që të ndërmarrë hapa të tjerë për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar duke arsyetuar se mbyllja e USAID nga departamenti i drejtuar nga Elon Musk me shumë gjasë ka shkelur kushtetutën, pasi kjo organizate ishte themeluar nga Kongresi Amerikan.

Gjykatësi i Mariland, Theodore Chuang, përmes një vendimi fillestar, e urdhëroi këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump, Elon Musk, dhe agjencinë që ai e udhëheqë që t’ia kthejë qasjen në sistemin kompjuterit të USAID-it punonjësve me kontratë të agjencisë – përfshirë mijëra punonjësve që u pezulluan nga puna në fund të shkurtit. Ky vendim vjen pas padisë së ushtruar nga punonjësit dhe ish-punonjësit e USAID-it, të cilët pretendojnë se Musku dhe Departamenti per Efincese te Qevelise nuk kishin autoritet për ta mbyllur agjencinë e mandatuar nga Kongresi amerikan.

“Vendimi i sotëm është fitore e rëndësishme kundër Elon Muskut dhe sulmit të tij përmes DOGE-it ndaj USAID-it, Qeverisë amerikane dhe Kushtetutës”, tha Norm Eisen, kreu i Fondit për Mbrojtjen e Demokracisë Shtetërore dhe avokat i 26 paditësve anonimë në këtë çështje. Vendimi i gjykatës u kritikua nga Shtëpia e Bardhë.

“Gjyqtarë të pabindur po minojnë vullnetin e popullit amerikan në përpjekjet e tyre për ta penguar presidentin Trump ta zbatojë agjendën e tij”, tha zëdhënësja Anna Kelly.
“Administrata Trump do të dorëzojë ankesë ndaj kësaj padrejtësie dhe do të luftojë kundër të gjithë gjyqtarëve aktivistë që ndërhyjnë në ndarjen e pushteteve”, shtoi ajo.

Duke folur për Fox News, Trump konfirmoi se synon ta ankohet ndaj vendimit.
Gjykatësi Chuang tha se ka prova që Musk ushtroi autoritet të madh që ligjërisht i rezervohet një zyrtari të organizatës, derisa po shërbente në një pozicion të vazhdueshëm qeveritar.

Shtëpia e Bardhë pretendon se Musk nuk kishte një pozitë qeveritare, por ishte vetëm këshilltar i Trumpit. Chuang gjithashtu konstatoi se Musk dhe DOGE nuk kishin autorizim nga Kongresi për të ndërmarrë hapa drejt shpërbërjes së agjencisë.

“Nuk ka asnjë statut që autorizon Degën Ekzekutive të mbyllë USAID-in”, shkroi ai.

USAID-i është agjencia kryesore e Qeverisë amerikane përgjegjëse për administrimin e ndihmave të huaja civile dhe ndihmave për zhvillim. Ajo vepron në më shumë se 100 vende, duke shpërndarë miliarda dollarë ndihma çdo vit dhe punëson rreth 10.000 njerëz në mbarë botën.

Administrata Trump e ka kritikuar programin e USAID-it si joefikas dhe të papërputhshëm me interesat e SHBA-së, duke argumentuar se disa nga funksionet e agjencisë mund të kryheshin nga Departamenti i Shtetit. Kritikët thonë gjithashtu se disa programe sociale dhe kulturore të financuara nga USAID-i nuk përputhen me misionin e tij thelbësor.

Anëtarët demokratë të Kongresit kanë kundërshtuar përpjekjen e administratës Trump për ta vendosur USAID-in nën Departamentin e Shtetit, një veprim që vë në pikëpyetje financimin e programeve të ndihmës në mbarë botën. Një raport i fundit nga Shërbimi i Kërkimeve i Kongresit (CRS) tha se USAID, në vitin fiskal 2023, ka menaxhuar më shumë se 40 miliardë dollarë në fonde për të mbështetur projekte në rreth 130 vende. Tre përfituesit kryesorë të ndihmës ishin Ukraina, Etiopia dhe Jordania. Afganistani është gjithashtu ndër dhjetë vendet që marrin së më shumti fonde nga USAID.