Një gjykatë në Nju Jork ka rrëzuar padinë e një politikani të korruptuar nga Liberia, në Afrikë, për heqjen e “non-gratës” ndaj tij.
Kërkesa e Margibi J. Emmanuel Nuquay për të hequr përkohësisht ndalimin e udhëtimit të vendosur ndaj tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara është refuzuar nga Gjykata e Qarkut Jugor në Nju Jork.
Gjykatësi Andrew L. Carter, i cili dha vendimin, e bazoi atë në vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit më 12 dhjetor 2023, duke përcaktuar publikisht Nuquay dhe zyrtarë të tjerë liberianë të pakualifikuar për të hyrë në SHBA për shkak të akuzave për korrupsion.
Për më tepër, Carter hodhi poshtë çështjen e senatorit afrikan Nuquay pa paragjykime, duke theksuar kufizimet e vendosura nga ligji i imigracionit dhe autoriteti i Degës Ekzekutive në çështje të tilla.
Margibi J. Emmanuel Nuquay kishte kërkuar t’i hiqej ndalesa për të udhëtuar në SHBA, në mënyrë që të merrte pjesë në një mbledhje në OKB.
Qeveria e SHBA kishte vendosur sanksione kundër Nuquay sipas nenit 7031(c) të Aktit të Përvetësimit të Operacioneve të Jashtme të Departamentit të Shtetit. Akti i mohon hyrjen në SHBA zyrtarëve të huaj “për përfshirjen e tyre në korrupsion të madh duke keqpërdorur pozitat e tyre publike përmes kërkimit, pranimit dhe ofrimit të ryshfetit për të manipuluar proceset legjislative dhe financimin publik, duke përfshirë raportimin legjislativ dhe aktivitetin e sektorit minerar”.
Seksioni parashikon se “zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes nuk kanë të drejtë të hyjnë në SHBA, nëse Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se ata individë janë përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm ose shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut 7031 (c), (1) dhe (a) dhe 7031 (c) (2)”.
Sipas të njëjtit nen është shpallur “non-grata” nga DASH edhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha. Ky i fundit nuk ka bërë padi në Nju Jork, por ka tentuar të padisë direkt ish-kreun e DASH, Antony Blinken në një gjykatë të Parisit. Dy vite më parë, Berisha tha se gjykata e Parisit i kishte pranuar padinë, por që prej atëherë, nuk dihet më asgjë se si ka ecur çështja.
“Ky përcaktim është bërë sipas nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndarjeve të Përafërta, 2021. Përveç Berishës, unë po caktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara”, njoftonte DASH në shpalljen e sanksioneve ndaj familjes Berisha në atë kohë.