Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi me humbje fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Për Grupin K, tanët humbën 2-0 me Anglinë në Londër (21 mars 2025), teksa kuqezinjtë nuk prodhuan asgjë në fushë duke mos goditur asnjëherë portën.
Për Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu, ish-sulmuesi Altin Rraklli që i ka shënuar “Tre Luanëve” më 28 marsin 2001, analizoi humbjen. Nga Gjermania, ai tha se Sylvinho duhet të ndryshojë mënyrë loje dhe të ketë në fushë emra që luajnë si sulmues tipik.
“Duhet të ndryshojmë mënyrën e lojës, rivalët na e dinë lojën dhe nuk na lënë të godasim portën. Unë besoja se do kishte emra të tjerë, kjo nuk ndodhi. Motivimi dhe angazhimi ishin. Kur ti ke më shumë respekt për kundërshtarët, atëherë ti nuk ke mënyrë për të dalë me pikë.
Ideja ime është që të bënim diçka ndryshe, me presion dhe lojë fizike. Unë dje do kisha luajtur ndryshe. Do kisha provuar një lojë ndryshe, që rivalët nuk e prisnin.
Anglia si rival – Më ka zhgënjyer, nuk ka forcën e Spanjës apo Francës. Duhet të kesh lojtarë shumë të mirë, me pasa të shkurtra dilet te goli. Anglia për 19 minuta nuk bëri asnjë rast, por ne nuk mbrohemi dot 90 minuta. Mbrojtja jonë ka qenë ulët dhe nuk kishim kundërsulm, as lojtarët dhe as mundësinë. Humbja ishte logjike.
Ku duhet të ndryshojmë? Asllani dhe Ramadani kanë një mënyrë loje, janë të dy shkatërrues. Të dy humbasin pas me këtë skemë. Balliun dhe Aliajn trajneri i lë shumë pas, mendojnë për mbrojtjen. Bajramin e doja fantazist, doja sulmues tipik edhe në krah. Me disa lojtarë sulmues mund të rrezikonim edhe Anglinë, sepse nuk kemi çfarë humbasim.
Kemi Muçin, Brojën, Hoxhën dhe Uzunin. Uzuni dje luajti në mbrojtje. Ideja ime është të jemi në sulm, por Sylvinho do mos pësojë shumë. Loja ngushtë e trajnerit tonë na dërgoi në rezultatin 1-0 dhe kishim shanse për barazim, por na mungoi freskia që gjysmë-rastet t’i konkretizonim.
Armando Broja – Ai është super lojtar. Me këto cilësi, janë shumë të rallë. Kur dëmtohesh njëherë, nuk të lënë rehat dëmtimet. Kur të jetë 100 përqind edhe dëmtimet nuk do i ketë të shpeshta. Ka cilësi fantastike. Do edhe mbështetje sulmuese nga të tjerët. Unë dua të rrezikoj në sulm. Duhet parë që të shohim portën kundërshtare.
Andorra, të detyruar për t’i mundur – Nuk diskutohet. Edhe kundër Anglisë treguam që kemi forcë. Ekipe si Andorra duan përqëndrim për të fituar lehtë.
Gara në Grupin K dhe ‘lufta’ Shqipëri – Serbi / Nuk e kam të sigurt se një Angli si e djeshmja i ka fitoret të sigurta kundër Serbisë. Ne kemi dy përballjet me Serbinë, ku një duhet ta fitojmë dhe presim Anglinë në Tiranë. Na duhen katër pikë me këta rivalë. Kemi shpresa për kualifikim, mos nisemi nga ndeshja e djeshme.
Na vijnë në formë edhe lojtarët si Mitaj dhe Broja. Me këta bëhemi të frikshëm si në Evropian. Andorra do na luajë si ne kundër Anglisë. Nëse nuk marrim tri pikë të hënën, kot që të flasim pastaj. Andorra nuk do jetë me vetëm 11 lojtarë pas, por do ketë edhe pankinën pas, do ketë autobusin.
Jeni i vetmi që i keni shënuar Anglisë – Mbaj mend golin e Demollarit më 1989, nuk e di pse u anulua. Ka një rregull të çuditshëm që ishte atë kohë, nëse ishe pozicion jashtë loje edhe pse jo aktiv, anulohej. Tani ka ndryshuar. Te goli im, ishte Gerry Neville që më mbante në lojë. Ishte pesë metra që më mbante në lojë.
Përballja me arbitrat në vitin 2001? I kam takuar, kam qenë me Altin Lalën. I njoha arbitrat dhe anësori më kërkoi ndjesë, u justifikua se nuk e lanë dritat e stadiumit ta shihte pozicionin e lojtarit tjetër. Anglisë në këtë ndeshje i duhej tripikëshi.
Këshilla – Nuk mendoj se Sylvinho do ndryshojë mënyrë loje, këtë ka në kokë. Bën të njëjtat lëvizje. Nuk besoj se do e bëjë një gjë të tillë”, tha Altin Rraklli.
Për t’u theksuar se Kombëtarja luan në datën 24 mars në orën 20:45 kundër Andorrës në Tiranë, për sfidën e dytë në Grupin K.