Teksa seanca plenare vijon në Kuvend, kreu i Grupit të Parisë Socialiste, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij u shpreh se qeveria nuk e ka kopjuar programin për zgjedhjet e 11 majit, ashtu siç pretendon opozita.

Peleshi tha se socialstët janë në qeverisje dhe do të vazhdojnë të jenë, ndërsa sfidoi edhe opozitën duke i thënë që të premtojnë sot në seancë, që 11 maji të mos jetë ditë e përleshjes dhe bllokimit të foltores, por një ditë ku t’i urohet fitorja fituesit.

“Jemi në qeverisje dhe do të vijojmë të qeverisim. Nuk kemi nevojë t’u kopjojmë dhe kur ju e hapni shifrën si t’ju vijë. Më 11 maj do të jemi prapë këtu. Më 11 maj të mos jetë ditë e përleshjes dhe bllokimit të foltores, por një ditë ku ti urojmë fitoren fituesit. Ne e bëjmë, po e premtuat edhe ju, do të jetë një arritje e madhe.

Kjo është dita e komuniteteve që ne e kemi shkelur me të dyja këmbët. Unë dua të çoj një mesazh falënderimi për të gjithë deputetët kolegët e PS dhe opozitës, por meqë jemi para zgjedhjeve, e falënderoj për punën e gjithsecilit.

Ajo që do të ngelet kur ditët të kalojnë, nuk janë fjalët, ofendimet dhe sharjet, por punët. Kemi bërë punë të mira. Edhe ju keni dhënë kontribute. Një ishte konsensusi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”, tha Peleshi.