Deputeti demokrat Dashnor Sula nuk do të jetë në listën e opozitës për kandidat si deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë për “Shqipëria Live” ai tha se pasi është informuar se nuk do të jetë pjesë e listës, ka kontaktuar Sali Berishën, por ky i fundit nuk i është përgjigjur.
Sula u shpreh se është hequr nga lista pasi është një mbështetës i SPAK-ut dhe sipas tij, çdo deputet që mendon ndryshe nga Berisha, Vokshi dhe Noka, do të fshihet nga ajo listë.
“Do të themi dhe gjërat e tjera, kaq mjafton sot për sot. Bëhet fjalë mos të jem fare pjesë e listës. Nuk jam negociuar, madje i kam shkruar edhe Berishës mesazh për ta takuar, nuk kam marrë as një përgjigje.
Kam dhe gjëra që nuk i them publikisht. Unë di që do fshihen të gjithë ata që nuk mendojnë si Berisha Vokshi dhe Noka. Unë i kam dalë i pari në qarkun e Elbasanit dhe nuk u kam kërkuar asnjë votë.
Derisa të mbyll do i respektoj, moralisht jam i fituar. Nuk kam besimin e liderit Berisha tani s’kam ça bëj unë. Më thanë disa kolegë të PS, pas Saliut ti ke qenë më i egër me ne.
Edhe sot isha në byronë e Kuvendit votova kundër atij komisionit Xhafaj. Ky komision është ngritur për të penguar SPAK dhe GJKKO.
Gjënë më të shenjtë kam lirinë, sa të jem gjallë do flas dhe mbroj interesat e shqiptarëve. Lista e Elbasanit do duhen të jenë njerëzit që e meritojnë. Ne rrezikojmë të dalim me 4 mandate në Elbasan, kjo më shqetëson mua”, -u shpreh Sula.