Shqiptarët dhe italianët janë kthyer në një nga aleancat më solide në Ekuador dhe në portet e Guayaquilit dhe El Oro-s. Nuk kanë nisur sot që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, por që para 15 vitesh. Një partneritet i fuqishëm biznesi kriminal midis klaneve mafioze italiane dhe shqiptare dhe fraksioneve të tjera kriminale ballkanike kanë krijuar një linjë trafiku krejt të re të kokainës.

Por si nisi e gjitha?

Në fund të viteve 1990, rreth 10,600 shqiptarë emigruan ilegalisht në Pulia, Itali. Në atë kohë, në Shqipëri kishte arrestime sistematike për trafikim njerëzor, kontrabandë emigrantësh, trafik armësh dhe vjedhje makinash. Kështu u përshtatën në Itali dhe u përfshinë në tregtinë e drogës, duke nisur nga kanabisi për të përfunduar tek heroina. Bashkë me “punën” u zgjerua edhe tregu.

Ndërmjet viteve 2008 dhe 2009, këto grupe zbarkuan në Amerikën Latine për të marrë kontrollin e biznesit të kokainës, duke përdorur Kolumbinë dhe Ekuadorin si zona strategjike të veprimit. Që nga viti 2008, ky rajon është kthyer në qendër të vëmendjes së grupeve kriminale ballkanike, të cilët kanë krijuar lidhje me furnitorë të rinj në tregun europian, që kamufloheshin nën maskën e biznesmenëve.

Në krimin e organizuar, ashtu si në botën e pronave të paluajtshme, lokacioni është gjithçka! Ndaj edhe Ekuadori vlen sepse ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, të cilat prodhojnë rreth 90 për qind të kokainës në botë. Një faktor tjetër kontribuues ishte dobësia e dukshme institucionale, mundësia për të korruptuar sistemin e gjyqësorit dhe mbyllja e bazës ushtarake amerikane në Manta. Kështu, shqiptarët kishin një rrugë të shtruar për të ngritur strukturat e tyre komplekse kriminale.

Pas vitit 2020, kapja në Evropë e qindra tonëve kokainë që po largoheshin nga Ekuadori shkaktoi alarm. Vendet evropiane u bënë destinacioni kryesor i drogës, duke e zbritur tregun amerikan në vendin e dytë. Për shkak të depërtimit të përshpejtuar të operatorëve nga këto klane mafioze, autoritetet qeveritare kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga shteti italian për t’i bërë ballë grupeve. Edhe pse mafia ka humbur fuqinë në Itali, ajo është bërë më e fortë në nivel transnacional, pikërisht për shkak të lidhjeve me familjet italiane të vendosura jashtë vendit dhe aleancave të saj me klane dhe kartele të tjera kriminale, veçanërisht ato shqiptare.

Paralajmërimet e fundit publike të ambasadorit italian Giovanni Davoli për operacionet mafioze në Ekuador për përhapjen e terrorit në mes të zgjedhjeve, ndezën reagime dhe ngritën alarmin për vrasje selektive të njerëzve të pafajshëm, përfshirë fëmijë dhe personel me uniformë.

Koloneli Holguer Cortez, drejtor i Njësisë Kundër Narkotikëve, konfirmoi në një intervistë për Código Vidrio se shqiptarët dhe italianët operojnë në Ekuador si aleatë për dërgimin e kokainës në vendet evropiane. Ata mbështeten në shërbimet e bandave që transportojnë drogë nga kufiri me Kolumbinë në vendet e magazinimit dhe më pas në porte. Kjo dinamikë është shumë më e qartë sot për policinë ekuadoriane, falë shkëmbimit të informacionit me homologët e tyre në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera evropiane, të cilat kanë thelluar mekanizmat e tyre të bashkëpunimit vitet e fundit.

Në vitin 2024, 295 ton kokainë u kapën në Ekuador, një shifër rekord kjo, ndërsa kapjet në portet evropiane të destinacionit ranë në mënyrë dramatike. Një shembull i qartë është Belgjika (destinacioni kryesor i kokainës deri në vitin 2023), ku u kapën 44 ton vitin e kaluar, 71 më pak se në vitin 2023.

Kapja e Rexhepit ngre alarmin

Në Ekuador, policia italiane ka filluar të monitorojë nga afër operacionet e shqiptarëve nga “Compañia Bello” dhe italianëve nga “Ndrangheta”, sidomos pas kapjes së bossit të drogës, Dritan Rexhepi. Rexhepi mbërriti në Ekuador rreth vitit 2011. Ai ishte pjesë e një vale kriminelësh të rrezikshëm, që kishin lidhje të thella me grupet kriminale në Evropë. Ekuadori kishte filluar të shfaqej si një qendër tranziti për trafikun e kokainës. Marrja e leje qëndrimit ishte e lehtë për t’u marrë, por kishte vështirësi për të huajt që të blinin prona dhe të ngrinin biznese.

Rexhepi, i cili kishte shumë identitete të rreme, u paraqit si biznesmen grek, edhe pse atëherë ishte një nga kriminelët më të kërkuar në Europë. Në fakt, ai ishte arrestuar për trafik droge në Holandë dhe ishte ekstraduar në Itali, ku ishte dënuar me 13 vite burg. Në vitin 2011, ai dhe dy shqiptarë të tjerë u arratisën nga burgu pranë Milanos. Muaj më vonë, ai u arrestua në Spanjë, por u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për një grabitje të dhunshme. Por burgu belg i sigurisë së ulët nuk e mbante do në “kafaz” Rexhepin, ndaj edhe njëherë ai shpëtoi.

Megjithatë, rreziku i kapjes në Evropë ishte i pashmangshëm!

Pikërisht atëherë Rexhepi vendosi të shkonte në Ekuador për të operuar nga ato. Ai ndërtoi rrjetin e tij duke përdorur kompani legjitime, me të cilat trafikonte kokainë. Ai e kishte të lehtë të krijonte kontakte në të gjitha nivelet për shkak të rrjedhshmërisë së tij në spanjisht, italisht dhe anglisht. Kjo i mundësoi të kuptonte lehtësirat që ofron sistemi për të operuar lirshëm me të gjitha llojet e kompanive, pa asnjë kontroll. Në atë moment ai zbuloi se Ekuadori ishte një vend i shenjtë për pastrimin e parave. Po ashtu, një nga partnerët e tij, një zëvendëskonsull diplomatik shqiptar në Ekuador, kishte investime të mëdha në kompanitë e ushqimit dhe kanabisit.

Në të njëjtën kohë, ai kishte kontakte edhe me mafiozët italianë, të cilët vepronin në Guayaquil, me modele të ngjashme kriminale, të orientuar drejt dërgimit të kokainës në Evropë. Ai gjithashtu e kishte të lehtë të lidhej me biznesmenë dhe disa politikanë vendas. Pikërisht në vitin 2013 në atë qytet u arrestua Valentino Alampi, anëtar i klanit të drogës Cosca Alampi.

Anëtarët e Cosca Alampi kishin krijuar gjithashtu një rrjet kompanish të themeluara ligjërisht në Ekuador. Për dekada, “La Ndrangheta” ka kontrolluar dërgesën e kokainës nga Amerika Latine në Evropë, duke përdorur fronte të ligjshme biznesi. Ata kanë krijuar rrjete importi dhe eksporti që përfshijnë lule, fruta, makineri, verë, kripë dhe ushqim për karkaleca. Përveç kësaj, ata pastrojnë para përmes investimeve në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit.

Ndërsa partneriteti me italianët rrodhi vaj, Rexhepi dhe miqtë e tij ndërtuan një sistem të sofistikuar të logjistikës së drogës, duke rekrutuar personel të kompanive portuale dhe të anijeve, agjentë doganore dhe oficerë policie që u lejonin atyre akses të sigurt në kontejnerët e drejtuar për në Evropë. Ky ishte një gur themeli i “Kompania Bello”. Kjo kompani forcoi aleancat në të gjithë spektrin e grupeve kriminale ekuadoriane.

Megjithatë, Rexhepi u arrestua në Guayaquil në vitin 2014, i akuzuar për trafik droge së bashku me bandën e tij prej 10 anëtarësh. Në atë kohë ai mbante emrin Lulzim Murataj, ndaj policia ekuadoriane kërkoi informacion nga Interpoli në Evropë për të verifikuar nëse pasaporta e tij ishte e ligjshme. Vendi i parë që u përgjigj ishte Italia, ku Rexhepi ishte arratisur në vitin 2011. Autoritetet konfirmuan se ai ishte një bos i rrezikshëm droge dhe kërkuan ekstradimin e tij. Ekstradimin e Rexhepit e kërkoi edhe Belgjika dhe Shqipëria.

Edhe pse sistemi i drejtësisë ekuadoriane pranoi ekstradimin, kishte kushte. Kërkuan që Rexhepi të kryente 13 vite burg në vendin e tyre.

Pas një viti në Guayaquil, Rexhepi u transferua në Cotopaxi. Atëherë, sistemi i burgjeve kontrollohej kryesisht nga bandat në varësi të më të fuqishmit, “Los Choneros”. Ky ishte konteksti ideal që Rexhepi të vazhdonte të nxiste biznesin e tij edhe nga qelia. Në Cotopaxi, ai u bë mik me Jorge Zambrano JR, Rasquiña, Fito dhe Junior, drejtues të Los Choneros, të cilët tashmë punonin për kartelin Sinaloa. Ky ishte fillimi i partneriteteve strategjike midis Compañía Bello, të udhëhequr nga Rexhepi, dhe grupeve lokale. Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë: të shisnin sa më shumë kokainë!

Në shtator 2020, pas një hetimi 5-vjeçar, qindra oficerë në të gjithë Evropën kryen një operacion të madh të fshehtë kundër veprimeve të Rexhepit dhe klanit të tij. 20 persona u arrestuan në Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Rumani, Hungari, Spanjë, Shqipëri dhe Dubai.

Autoritetet italiane më pas i dërguan një sërë letrash autoriteteve gjyqësore dhe qeveritare për të rifilluar procesin e ekstradimit të Rexhepit, pasi ishin paralajmëruar se ai kërkonte të lirohej nga burgu para përfundimit të dënimit. Në një komunikim të vitit 2021 nga Ambasada Italiane, diplomatët paralajmëruan se Rexhepi organizonte dërgesat transatlantike të drogës madje dhe urdhëronte vrasjen e rivalëve të tij. Por kërkesat e Italisë iu zbuluan Rexhepit, i cili hartoi planin e tij të arratisjes. Në gusht 2021, gjyqtari Diego Poma i dha atij masën e sigurisë “arrest shtëpie” më byrzylyk elektronik, për “arsye mjekësore”. Ditë më vonë, gjyqtari urdhëroi që të hiqej byzylyku ​​elektronik dhe e urdhëroi që të paraqitej tek autoritetet çdo 15 ditë.

Rexhepi arratiset pavarësisht paralajmërimeve nga Italia

Edhe pse u la i lirë, Italia insistoi për ekstradimin e Rexhepi, por asnjë nga kërkesat e tyre nuk u plotësua. Përkundrazi, Rexhepi ishte i lirë madje kishte udhëtuar për në Medellín të Kolumbisë. Për të fituar kohë dhe për t’u përgatitur për arratisjen e tij, një prej bashkëpunëtorëve të tij shkonte duke u hequr si ai dhe firmoste në Polici për çdo 2 javë.

Në Kolumbi, Rexhepi ishte edhe në Bogota dhe Santa Marta. Në gusht të 2022, Rexhepi themeloi kompaninë Hkg Colombian Sas në Medellín. Një tjetër anëtar i Kompania Bello, Kozobar Remzi Azemi, i cili u arrestua me Rexhepin në Ekuador në vitin 2014, ishte gjithashtu atje bashkë me të.

Sipas inteligjencës evropiane, Azemi udhëtonte në Kolumbi me një automjet të blinduar me targë GSU-2041, të regjistruar në emër të kolumbianes Katrin Paola Ospino Fernández, partnerja e Rexhepit. Ospino Fernández ishte aksionere dhe presidente e kompanisë “Worldclass Ecuador”, një kompani udhëtimesh turistike.

Ndërsa përpiqej të forconte rrjetet dhe strukturat mbështetëse në Turqi, Rexhepi u arrestua në Stamboll në nëntor 2023. Si një “vizionar” i zgjerimit të rrjetit kriminal, Rexhepi ishte vendosur në Turqi, me pasaportë kolumbiane, me identitetin e Benjamín Omar Pérez García. Ai kishte në plan ta kthente vendin në një korridor për lëvizjen e drogës në lindje drejt Rusisë dhe Kinës. Plani i tij ambicioz dështoi kur u arrestua pas kërkesave për ekstradim nga Italia dhe Shqipëria. Ai u soll në Shqipëri dhe po vuan dënimin.

Raportet e inteligjencës “bien dakord” se zëvendësuesi i tij në Ekuador ishte shqiptari Dritan Gjika, një tjetër drejtues i “Compania Bello”.

Rexhepi dhe Gjika jetonin në të njëjtën zonë banimi në Samborondón. Gjika zotëronte disa restorante dhe biznese në Guayaquil, të cilat i përdorte në mënyrë aktive edhe për kontrabandën e drogës. Në vitet e fundit, Gjika ka ndërtuar një strukturë të fuqishme biznesi, të ankoruar në lidhjet e saj të rëndësishme ekonomike dhe politike, të paktën që nga viti 2020, për të transportuar drogë nga portet e Guayaquil dhe një rrjet mbështetës për pastrimin e pastrimit, përmes një rrjeti prej dhjetë kompanish (6 në Ekuador dhe 4 në Spanjë), duke përfshirë prodhuesit e kanabisit dhe kompanitë e bananeve.

Emri i tij u bë i njohur në vitin 2023 për shkak të kontakteve të tij, nëpërmjet Rubén Chérrez (i vrarë në nëntor) me Danilo Carreras, kunatin e presidentit të atëhershëm Guillermo Lasso. Carrera u dënua për krim të organizuar pasi ishte pjesë e një rrjeti kontratash të paligjshme në sektorin e energjisë elektrike.

Pas ekspozimit në media dhe jo vetëm, Gjika u largua nga vendi.