Deklaratë e Kryeministrit polak Donald Tusk, përpara samitit për Ukrainën në Londër, është bërë virale në rrjetet sociale.
Tusk, me një bllok shënimesh në dorë, shprehu bindjen se Evropa mund të jetë një fuqi globale dhe nuk ka pse të kërkojë mbrojtje nga SHBA.

Kryeministri polak tha me ironi se 500 milionë evropianë kërkojnë nga 300 milionë amerikanët që t’i mbrojnë nga 140 milionë rusë. Sipas Tusk, Evropa ka potencialin që, me demografinë dhe ekonominë e saj, mund të jetë një fuqi globale.

Ai e përforcoi argumentin e tij me shifra të forta ushtarake, duke vënë në dukje se Evropa dhe Ukraina kanë 2.6 milionë ushtarë së bashku – më shumë se dyfishi i 1.1 milionëve të Rusisë. Ai krahasoi gjithashtu avionët luftarakë dhe sistemet e artilerisë. Megjithatë, argumentoi ai, kontinenti nuk ka vullnet dhe koordinim, duke e lënë atë tepër të varur nga mbështetja e SHBA.

Ai u kërkoi udhëheqësve evropianë të vendosin më shumë trupa përgjatë krahut lindor të NATO-s, duke përmendur Finlandën, shtetet baltike dhe Poloninë si pika të nxehta kritike.