Ka pasur kaq shumë momente të tilla. Armando Broja u aktivizua më në fund për Evertonin në Angli, duke luajtur qoftë edhe pak minuta, ndërsa mungonte në fushë për shkak dëmtimi për më shumë se dy muaj.
Trajneri Dejvid Mojes e hodhi në betejë në minutën e 79-të, ndërsa liverpulasit po humbisnin në shtëpi 0-1 me Uest Hemin, dhe sulmuesi I kombëtares shqiptare duhet thënë se bëri pjesën e tij.

Edhe pse nuk ishte ai që krijoi apo shënoi golin e barazimit, sidoqoftë, prania e shtatlartit prej 1.92 metrash në zonë I dha më shumë hapësirë mbrojtësit Xhejk O’Brajen.
Ishte minuta e parë shtesë dhe Evertoni shpëtoi nga disfata, edhe pse nga sfidat në “Gudison Park” kërkohet sidomos fitorja.
Për Brojën ishte një kthim I lumtur, ndërsa ishte I pamundur që nga 9 janar I këtij viti.

Sulmuesi kuqezi u dëmtua në duelin e Kupës së Anglisë ndaj Peterborout. Vetëm një ditë para ndeshjes së Premier Ligës, 23-vjeçari u kthye më në fund në stërvitje të plotë me ekipin, ndërsa pak ditë më parë kishte bërë përgatitje të lehtë.

Natyrisht, do të duhet shumë kujdes me një lojtar që këtë edicion ka luajtur vetëm 250 minuta, dhe që ka humbur 71 ndeshje pak më shumë se dy vjet, duke bërë pushim plot 465 ditë nga 821, pra më shumë se gjysmën e kohës.

Trajneri I kombëtares, Silvinjo, e ka ftuar në përfaqësuese për dy ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës, ndërsa Broja ka luajtur për herë të fundit me fanelën kuqezi në 24 qershor të vitit të kaluar, në sfidën ndaj Spanjës në Euro 2024.