Kush është Angoni? Veliaj: Sajesë e këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e Shtetit! Dumani po përdoret nga vartës hakmarrës
Tashmë në qeli pas një kallëzimi nga një person anonim ‘Nesti Angoni’, në intervistën ekskluzive për Report Tv, Erion Veliaj thotë se mund të jetë edhe një sajesë e vetë këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e logon e Shtetit. Një koment e ka edhe për kreun e SPAK, Altin Dumani.
Pyetje: Kush është Nesti Angoni sipas Erion Veliajt?
Erion Veliaj: Nesti Angoni? Kjo s’ka fare rëndësi! Mund të jetë një sajesë e vetë këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e logon e Shtetit. S’i kam bërë kurrë kujt keq. Jam zgjuar çdo mëngjes këto vite që të bëj mirë: të bëj çdo ditë një shkollë, një kopësht, një çerdhe, një park, një rrugë, një shesh, një qendër sociale! S’mbaj mend të kem pushuar një fundjavë, i kam rënë në qafë familjes sime, si e si të ndihmoja mijëra njerëz, sa kam pasur mundësi.
Por, Nesti Angoni e Ols Dado janë të pangopur; s’ja kam dalë t’i nginj me sa duket.
Por, kjo nuk është më e rëndësishmja! Sot në SPAK ka edhe 2 kallëzime të tjera nga Nesti Angoni, dhe bravo i qoftë! Për sa kohë kaloi e para, tani u normua ekzekutimi publik i kundërshtarit me letra anonime e veting pa ligj për 20 vite; 7,300 ditë të jetës së një njeriu.
Pyetje: Pse nuk keni përmendur në asnjë reagim tuajin Altin Dumanin?
Erion Veliaj: Sepse ende lus Perëndinë që një ditë do kuptojë se si po përdoret nga vartësit mediokër e hakmarrës për hesapet e tyre personale. Po e përdorin si Pilatin për Barabën. Zoti e ndriçoftë!