Andis Harasani ishte një nga drejtorët kryesorë të Fatos Nanos në vitin 2005 që iu fut politikës përmes kandidimit për deputet.

Deri në atë vit ai kishte drejtuar Korporatën Elektro-energjetike Shqiptare (KESH), moment kur Nano e thirri për ta kandiduar përballë Shaban Memisë në një nga zonat e Tiranës, në njësinë nr.4.

Harasani e fitoi përballjen me kandidatin demokrat dhe ishte nga të paktët socialistë që fitoi në kryeqytet, ku mori edhe mandatin e parë të deputetit.

Pas ndryshimit të lidershipit socialist pas humbjes së zgjedhjeve, ai ishte sërish një nga kandidatët e Edi Ramës në Tiranë. Këtë herë, jo në njësinë nr. 4 por në zonën e Rrogozhinës.

Në vitin 2009, Harasani fitoi mandatin e dytë parlamentar, por që nuk do ta përfundonte atë. Në vitin 2012, vetëm një vit para zgjedhjeve të përgjithshme që do të shënonin edhe rikthimin e socialistëve në pushtet, ai vendosi ta lërë mandatin “për arsye personale”, siç e deklaroi edhe publikisht në atë kohë.

“Pas plot 7 vjetësh si deputet i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i votuesve të qarkut të Tiranës, kam vendosur të dorëzoj mandatin e deputetit për arsye tërësisht personale. Dëshiroj të siguroj të gjithë votuesit e mi, si dhe të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste se pavarësisht shkëputjes nga aktiviteti parlamentar, do te vazhdojë të mbështesë dhe të punojë për të siguruar fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”– deklaronte Harasani në atë kohë.

Vendin e tij e zuri Auron Tare, ndërkohë që Harasani vijoi angazhimet e tij personale jashtë Shqipërisë.