Evi Kokalari ka publikuar në rrjetet sociale një debat të ashpër mes Chris LaCivita, këshilltari i punësuar nga Sali Berisha për fushatën e tij, dhe Raheem Kassam, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Steve Bannon dhe një figurë kyçe në rrethin politik të Donald Trump.
Në një përplasje publike në rrjetin social X, LaCivita i shkruan Kassam-it me ironi:
❝Nuk më besohet që ende nuk të kanë deportuar.❞
Në një kundërpërgjigje të menjëhershme, Kassam e ironizon lidhjen e LaCivitës me politikën shqiptare duke e pyetur:
❝Ku do të më deportosh, në Shqipëri? Aty ku po punon me njerëz të dyshimtë?❞
Kassam e lidh këtë koment me kontratën që LaCivita ka me Sali Berishën, i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion madhor dhe i cili është marrë i pandehur nga SPAK për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Evi Kokalari, e njohur për qëndrimet e saj kritike ndaj Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij, e ka shoqëruar postimin e saj me komentin:
“Raheem Kassam, krahu i djathtë i Steve Bannon dhe i Nigel Farage, akuzon Chris LaCivita për punën e tij në Shqipëri me figura të dyshimta. Ehh, Chris që se di akoma çfarë i bëri vetes!!”