Federiko Dimarko ishte protagonist absolut në ndeshjen kundër Napolit me golin e tij fantastik të shënuar në “Diego Maradona”. Por anësori i majtë i Interit, një nga shtyllat e kësaj skuadre, u pa të dilte i dëmtuar nga fusha e lojës kundër napolitanëve, duke sjellë një rënie të ndjeshme të lojës së zikaltërve pas zëvendësimit.

Rënie që skuadra rrezikon ta pësojë edhe në ndeshjet e radhës, duke filluar te ajo e kësaj mesjave ndaj Fejenordit në Ligën e Kampioneve. Mediat italiane bëjnë të ditur se Dimarko ka një problem muskulor i cili nuk rikuperohet në kohë për këtë sfidë dhe me shumë mundësi as për atë të kthimit një javë më vonë.

Kështu, Interi duhet të bëjë në këtë raund pa një prej emrave kryesorë të tij, i cili ka si objektiv të jetë në gatishmëri për Inzagin për ndeshjen shumë të rëndësishme për luftën për titull ndaj Atalantës pas dy javësh. Gjithsesi, në klub nuk duan të sforcojnë e rrezikojnë një dëmtim afatgjatë të një prej lojtarëve më cilësorë që kanë në përbërje.