Mungon vetëm ndonjë detaj, pasi Sylvinho e ka gati listën për grumbullimin e parë në kualifikueset e Botërorit 2026. Kombëtarja e futbollit luan kundër Anglisë më 21 mars në Londër dhe tre ditë më vonë në Tiranë mbërrin Andorra, teksa tanët kërkojnë të bëjnë një nisje të mbarë në Grupin K kualifikues, kjo për të harruar dështimin në Ligën e Kombeve. Braziliani i stoli vjen edhe këtë herë me risi, duke afruar në ekip mesfushorin e Malishevës, Etnik Brrutin. Djaloshi ishte kapiten i Kosovës U-21 dhe kalimi te Shqipëria pati jo pak polemika nga ana tjetër e kufirit (imagjinar).

Ndërkohë, mësohet se Keidi Bare i Real Zaragozës e kishte një ftesë për t’u rikthyer në ekip, por mesfushori ka pësuar një dëmtim në Spanjë dhe nuk pritet të jetë i gatshëm.
Veç tij edhe Broja, Tuci dhe Hysaj nuk duket se do jenë gati për ndeshjet e marsit, ndërsa shqetësojnë edhe Ismajli dhe Manaj. Dilemë është afrimi i Brojës, pasi duket se sulmuesi po kryen stërvitje të plotë dhe Everton mund ta përfshijë në listën e fundjavës për në Premier League. Nëse merr minuta, Broja mund të thirret edhe nga Sylvinho, me vetë trajnerin që ka kontaktuar klubin nga Liverpooli.

Pritet që e shtuna e 15 marsit të jetë dita kur Sylvinho do zyrtarizojë listën me emrat kuqezi.

Lista me emrat e mundshëm që mund të jenë pjesë e Kombëtares në mars:

Në portë: Thomas Strakosha, Alen Sherri, Elhan Kastrati, Simon Simoni

Mbrojtja: Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj

Mesi i fushës: Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Etnik Brruti, Qazim Laçi, Medon Berisha, Nedim Bajrami

Sulmi: Taulant Seferi, Ernest Muçi, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Anis Mehmeti, Myrto Uzuni?, Mirlind Daku

Në dyshim nga lëndimi: Ardian Ismajli, Rey Manaj?

Lista e pritjes: Mario Dajsinani, Arinaldo Rrapaj, Andi Hadroj, Edison Ndreca, Amir Abrashi

Të dëmtuar: Armando Broja, Indrit Tuci, Elseid Hysaj