Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur pajisjen me materiale të reja për laboratorët e shkencave, biologji, fizikë dhe kimi, një investim i rëndësishëm që do të mundësojë një mësimdhënie më cilësore për rreth 20 mijë nxënës.
Ky investim përfshin pajisjen e 80 laboratorëve të biologjisë, fizikës dhe kimisë në shkolla të arsimit bazë dhe të mesëm, duke krijuar një mjedis të avancuar për të nxitur aftësitë shkencore dhe eksperimentale të nxënësve.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndoqi nga afër procesin e pajisjes së laboratorëve, në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, ku janë ngritur laboratorë e rinj të Kimisë, Fizikës dhe Biologjisë theksoi rëndësinë e investimeve në këtë fushë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
“Ne jemi duke plotësuar bazën laboratorike të laboratorëve tanë në të gjitha shkollat dhe fokusi është që të rrisim standardin dhe cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies përmes investimeve, sidomos në aspektin laboratorik. Edhe këtë vit ne kemi siguruar që të përmirësojmë aspektet që lidhen me bazën laboratorike në shkolla dhe janë 80 laboratorë në shkollat tona të cilat po furnizohen me materialet e nevojshme për laboratorët e kimisë, fizikës dhe biologjisë.”, tha Ministrja Manastirliu.
Laboratorët STEM janë një hap të rëndësishëm për modernizimin e sistemit arsimor, duke i dhënë nxënësve mundësinë për të zhvilluar aftësitë praktike në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Përveçse nxisin kreativitetin dhe bashkëpunimin, këto laboratorë ndihmojnë në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës dhe për karriera të suksesshme në fusha që kërkojnë ekspertizë shkencore dhe teknologjike.