TIRANË- Rayyan Alwan u vra nga babai i saj! Dokumentet që kanë mbërritur nga Interpoli për Policinë e Tiranës konfirmojnë se Rayyan dhe Fadi Alwan, janë në fakt babë e bijë dhe jo partnerë. Ky detaj i ri, i jep një kthesë të re ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Tiranë. Kjo pasi fillimisht u raportua se e reja ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, por të dhënat e Interpolit kanë zbuluar detaje të tjera edhe pse s’ka informacion tjetër që mund të tregojnë përbërjen e familjes se tyre.

Në këto kushte, Policia shqiptare po kërkon anëtarë të tjerë të familjes që të zbulojnë më shumë detaje lidhur me atë që mund të ketë qenë shkaku i vrasjes të së resë natën e ngjarjes. Ndërkohë Interpol është duke ndjekur gjurmët e 49-vjeçarit Fadi Alwan, i cili dyshohet se fshihet në Liban, ndërsa asnjë nga familjarët e tjerë nuk është interesuar për të tërhequr kufomën e të resë, e cila ishte e masakruar me thikë dhe më pas braktisur në banesën që kishin marrë me qera.

E paqartë është edhe aryseja se përse të dy, babë e bijë kanë ardhur në Tiranë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se gjithë komunikimet në aeroport apo tek shtëpia që kanë marrë me qira i kryente vetëm i ati, pasi 24-vjeçarja nuk fliste fare. Por gjithashtu bie në sy fakti, se gjatë gjithë kohës të dy prezantoheshin si çift dhe jo si babë e bijë.

Një version ndryshe të ngjarjes raportojnë mediat holandeze, “De Telegraaf”, e cila raporton se babë e bijë hynë në Shqipëri duke përdorur dokumente greke false. Sipas tyre, e reja mund të jetë abuzuar seksualisht nga i ati para para se të vritej. Megjithatë, këtë detaj mbetet që ta verifikojë eksperitza mjeko-ligjore që do të bëhet nga Policia Shqiptare. Po sipas medias së huaj, e reja mund të jetë vrarë nga data 17-22 shkurt. Falë kamerave të sigurisë, policia zbuloi se burri u largua i qetë nga vendngjarja herët në mëngjes. Ai mori një taksi dhe u nis për në aeroportin “Nënë Teresa”. Nga Tirana, shkoi në Athinë dhe nga Athina në Amsterdam. Aty u zhduk pa lënë gjurmë.

E reja u gjet e vdekur më 27 shkurt nga pronari që i kishte dhënë dhomën me qira në katin e tretë të një godine që ndodhet pranë njësisë numër 10 në Tiranë, në rrugën “Gjon Muzaka”. Ajo kishte në banesë vetëm rrobat e trupit dhe 10 cent, ndërsa mjetet e identifikimit dhe paratë i ka marrë me vete i ati pasi ka dalë nga Shqipëria.