Thiago Motta është vënë nën kritika për rezultatet e Juventusit në muajt e fundit. Bardhezinjtë janë ende në garë vetëm për një vend në Champions, teksa në mbrojtje të tij ka dalë Dario Canovi, menaxheri historik dhe pjesë e enturazhit të trajnerit italo-brazilian.

“Që në fillim ishte gabim të mendohej se Juventusi mund të luftonte për titullin. Kush e thotë këtë, nuk ka njohuri të mëdha për futbollin – u shpreh agjenti i njohur. – Skuadra e Milanit është më e fortë se ajo e Juventusit.

Me Motta si trajner, Weah po bëhet një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në qarkullim. Ai do të bëhet një nga trajnerët më të mirë në Europë, e kam bindje të plotë këtë, e them me eksperiencën e 50 viteve në futboll. Pritshmëritë ndaj tij dhe ndaj merkatos së Juventusit kanë qenë të tepruara”.

Më tej, Canovi vijoi: “Eksperienca e tij te Juventusi ka qenë e vështirë. Vitin e kaluar flitej vetëm mirë për të, ndërsa tani vetëm keq. Ai e pranon se ka bërë gabime, por askush nuk ka bërë një analizë objektive për atë që ka ndodhur te Juventusi në këto 8 muaj…”

Një mesazh i qartë për klubin, ndërsa Cristiano Giuntoli përballet me një detyrë të vështirë për rindërtimin e skuadrës, pas periudhës së Massimiliano Allegrit. Canovi përmendi drejtorin sportiv të Juventusit kur u pyet për të ardhmen e Motta:

“Nëse do të qëndrojë në Torino, nuk duhet të më pyesni mua, por drejtuesit e Juventusit, Giuntolin. Ai ka një kontratë, por vendimin do ta marrin ata. Për momentin ka vetëm zëra, por ai është i përqendruar në punë dhe kërkon përkushtim nga lojtarët”.

Në fund, Canovi foli edhe për disa lojtarë individualë, si Douglas Luiz: “Braziliani ka luajtur pak, jo për zgjedhje teknike, por për shkak të dëmtimeve. Gonzalez dhe Koopmeiners humbën fazën përgatitore. Motta mund të ketë bërë gabimet e tij, por kurrë nuk e ka pasur mbrojtjen titullare. Pastaj mos harroni se Juventusi ka ekipin e dytë më të ri në kampionatin italian”.