Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani ka folur pas ndeshjes së Champions League, ku Interi i tij fitoi në transfertë 0-2 përballë Feyenoord.

Titullar në këtë sfidë, Asllani thotë se mund të kishin shënuar më shumë gola. Ndër të tjera, shqiptari thotë se ekipi i tij i merr ndeshjet njëra pas tjetrës, duke qenë të përqendruar gjatë gjithë kohës.

“Kishte për të vuajtur, u treguam të aftë. Gjysmë ora e parë ishte shumë e komplikuar, por pas golit morëm kontrollin e lojës, marrim me vete në shtëpi këtë rezultat që është shumë i rëndësishëm. Ekzistonte ndjesia që do të vinte goli, kemi pasur raste dhe pastaj ishim të aftë që të mbyllnim ndeshjen. Mund të bënim golin e tretë por jemi të lumtur. Tani duhet të mendojmë për Monzën dhe pastaj të kthehemi të përqendrohemi te Liga e Kampioneve.

Ambiciet në Europë? Sigurisht, kemi qenë të qartë që në fillim, edhe pse ka shumë skuadra të forta. Mendojmë ndeshje pas ndeshje, pastaj ta shohim. Tani është Monza, ndeshje thelbësore për ne. Më pas do të mendojmë për Feyenoord.

Monza e motivuar? Sigurisht, por ne jemi mirë. Ata janë poshtë në klasifikim, por unë kam luajtur në skuadra që duhej të mbijetonin, e di që do të japin shpirtin, duhet të tregohemi të aftë që të fitojmë. Do të jetë e vështirë, askush nuk vjen për të humbur, por do të mundohem të sigurojmë tre pikët që janë objektivi ynë”, tha Asllani.