Misteri i vdekjes së Gene Hackman dhe bashkëshortes së tij, Betsy Arakawa, zbardhet nga hetuesit e New Mexico.
Aktori i famshëm, dy herë fitues i çmimit Oscar, Gene Hackman, ndërroi jetë si pasojë e problemeve me zemrën, rreth një javë pasi bashkëshortja e tij, Betsy Arakaëa, u rrëzua pa jetë në njërën nga banjat e shtëpisë së tyre, e prekur nga një sëmundje e rrallë dhe shpesh fatale e transmetuar nga jashtëqitjet e miut.
Pra çifti i martuar prej 34 vitesh ndërroi jetë nga shkaqe natyrale edhe pse mënyra e vdekjes së tyre mbetet dramatike.
Arakawa dyshohet se ishte infektuar me sindromën pulmonare Hantavirus, një sëmundje e rëndë e frymëmarrjes e shkaktuar nga një virus që përhapet kryesisht përmes brejtësve.
Kjo sëmundje fillimisht shfaq simptoma të ngjashme me gripin për tre deri në gjashtë ditë, por më pas mund të përkeqësohet nëse nuk trajtohet menjëherë. Sipas raportit mjeko ligjor infeksioni shkakton grumbullim të lëngjeve brenda dhe përreth mushkërive, duke çuar në mbytje fatale të pacientit. Ndërsa aktori i njohur Gene Hackman, i cili vuante nga një formë e avancuar e Alzheimerit, u gjet i vdekur në hyrjen e një pjese tjetër të shtëpisë.
Sipas mjekes ligjore të New Mexico-s, Heather Jarrell, është e mundur që aktori, 95 vjeç, të mos ishte në dijeni të vdekjes së gruas së tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Alzheimeri mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij, megjithëse shkaku kryesor mbetet ataku në zemër. Zemra e Hackman pushoi së rrahuri më 17 shkurt, duke shënuar fundin e jetës së një prej aktorëve më të mëdhenj të kinematografisë.