Botuesi i gazetës Koha Jonë, Nikoll Lesi, ka komentuar në gazetën e tij, përplasjen Trump-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.
Shkrimi i plotë:
Ajo që bota shikoi live nga Shtëpia e Bardhë kur Presidenti ukrainas Zelenski u soll si garip lagje ndaj Presidentit Trump dhe ndaj SHBA, e cila e ka ndihmuar me qindra miliardë dollarë gjatë kohës së luftës, meritonte që Zelenski të nxirrej me shpulla nga Trumpi dhe ta çonte prej zverku direkt te avioni për në Europë.
Më 19 shkurt të këtij viti në një postim në platformën e tij Truth Social, Presidenti Trump tha për zotin Zelensky: “Ai refuzon të mbajë zgjedhje, gëzon popullaritet të ulët në anketimet ukrainase dhe e vetmja gjë ku është treguar i suksesshëm është ta manipulojë Biden-in. Një diktator pa zgjedhje, Zelensky është më mirë të veprojë me shpejtësi apo nuk do të ketë më shtet”.
Me sa duket Zelenski shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ti kthyer përgjigjen e kësaj akuze. Por pa përkrahjen e ndërhyrjen e Uashingtonit, Ukraina nuk gjen dot paqe, ndaj një sjellje e tillë pa asnjë etikë diplomatike, aq me tepër pa sjellje mirënjohje ndaj SHBA tregon se koha e Zelensit ka mbaruar, siç ka përfunduar edhe mandati i tij presidencial, sepse është president i pavotuar.
Ukraina humbi prej Zelenskit. Siç shkroi pas takimit, deputeti i parlamentit të Ukrainës, Alexander Dubinsky, se Presidenti Zelenski duhet shkarkuar, jo vetëm se është i paligjshëm, por edhe se shkatërroi marrëdhëniet me SHBA.
Ndonëse Trump nënvizoi, ndër të tjera, se “Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vijë përsëri kur të jetë gati për paqe”, por pak gjasa ka që Zelenski të pranohet më në Shtëpinë e Bardhë, veçse nëse kërkon falje publike.
Zelenski e dogji shansin që iu dha për të mbetur në histori si njeriu që bëri luftën, por edhe paqen.
Atë e pret një Europë që fërkon duart nga sherri live, por një Europë pa shtyllë kurrizore prej konflikteve të brendshme dhe që nuk ka takat të mbrojë Ukrainën, nëse SHBA tërhiqet.
Ukraina, pas kësaj sjellje të Presidentit të tyre, rrezikon të mbetet e vetme përballë Rusisë.