Nga Mero Baze

Milorad Dodik, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, është një i sanksionuar për minimin e sigurisë dhe stabilitetit të Bosnjës nga Departamenti i Shtetit. Sanksionimi i tij u bë në të njëjtën kohë me Sali Berishën. Dhe, njësoj si Berisha në atë kohë, ai e quajti këtë një veprim të administratës amerikane të ndikuar nga Sorosi dhe, për ta injoruar, u bë një mbështetës i zjarrtë i Donald Trump. Ai ka marshuar rrugëve të Beogradit dhe Bosnjës me bluza ku është stampuar portreti i presidentit Trump, në vazhdën e retorikës se kjo ishte një hakmarrje politike e demokratëve në SHBA.

Dje, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mbajti qëndrimin e tij të parë për Ballkanin, duke konfirmuar politikën e SHBA-së për personat “non grata”. Në një postim, i cili gjendet në faqen e Ambasadës së SHBA-së në Beograd, thuhej:

“Veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnje dhe Hercegovinë që të angazhohen në një dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne në kundërshtimin e kësaj sjelljeje të rrezikshme dhe destabilizuese.”

Qëndrimi i sekretarit të Shtetit, i pari për Ballkanin, tregon se administrata e re po kthen vëmendjen tek politikat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe ky është konfirmimi i parë mbështetës për politikën e sanksioneve “non grata” që ka vendosur shteti amerikan në Ballkan.

Për ngjashmëri me Milorad Dodikun, Sali Berisha është sanksionuar për minimin e demokracisë, korrupsion madhor bashkë me familjarët e tij dhe shantazh ndaj drejtësisë.

Ky është një lajm i keq për Sali Berishën. Do të ishte lehtësim i madh sikur sekretari Marco Rubio të ishte mirënjohës ndaj Dodikut, që është tifoz i presidentit Trump, dhe t’ia hiqte ato sanksione. Në fund të fundit, me logjikën që Berisha përdor në Tiranë, SHBA-ja duhet të zhbejë gjithçka që ka bërë në Ballkan, që nga Bosnja, Kosova e deri te politikanët problematikë që ka sanksionuar.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, shpëtimtari i Bosnjës më 1993 në Senatin amerikan ka qenë ish-kryetari i Politikës së Jashtme të Senatit, Joe Biden, i cili me një fjalim prej 65 faqesh ktheu opinionin e politikës amerikane dhe e fokusoi atë tek shpëtimi i Bosnjës nga shfarosja që i kanosej nga nacionalizmi serb, një vit pas masakrës së Srebrenicës.

Falë këtij fokusi të ri të SHBA-së në vitet ’90, u arrit tek Marrëveshja e Dejtonit më 1995 dhe më pas tek bombardimi i Serbisë për shkak të Kosovës më 1999.

Shpresa e politikanëve të sanksionuar në Ballkan se ardhja e pPresidentit Trump dhe një lloj përmbysjeje e rendit botëror që po ndodh mund t’i shpëtojë edhe ata, dje mori një shuplakë të rëndë.

Për Berishën, do të ishte një lehtësi e madhe sikur SHBA-ja t’ia kishte shpërblyer Dodikut dashurinë elektorale për presidentin Trump. Por ja që nuk ndodhi. Dhe të mendosh që Serbia aktualisht është një nga vendet e përkëdhelura të SHBA-së, ku presidenti Vuçiç ka ndryshuar tërësisht kursin, “një këmbë në Perëndim e një në Lindje”, duke iu afruar plotësisht politikës ruse. Por as kjo nuk e ndihmoi.

Sekretari i Shtetit duket se është me këmbë në tokë kur bëhet fjalë për respektimin e shtetit amerikan dhe autoritetit të tij në botë.

E vetmja shpresë për Berishën tani mbetet ky LaCivita, edhe pse as ai nuk e ka marrë përsipër zyrtarisht heqjen e sanksioneve, duke theksuar se ai është vetëm këshilltar elektoral.

Kështu që shpresat mbeten gjallë pas 11 majit. Ndoshta kur të humbasë, iu vjen keq dhe ia heqin sanksionet, se dy humbje nuk i mban dot në këtë moshë!