Nga Arben Demo
Në një shkrim të botuar te www.syri.net ,zonja Sonila Meço, rreket të na mbushë mendjen se Partia Demokratike, “shpresa e shqiptarëve për përmbysjen e bandës PS që qeveris prej 12 vitesh”, zhvilloi Primare…”për të parën herë në Shqipëri, si shfaqja më e lartë e demokracisë perëndimore”.
Primaret organizohen për të patur një përzgjedhje të kandidatit apo kandidatëve, që kanë mbështetjen (pra dhe votën) më të madhe të anëtarësisë në zgjedhjet politike apo vendore. Primaret mund të jenë të mbyllura – vetëm për anëtarësinë; apo të hapura- edhe për militantët, që paraqesin rrezikun e votimit dhe nga kundërshtarët politikë.
Vota e primareve është vendimtare për drejtuesit e Partisë dhe është aspak demokratike- më saktë është antidemokratike, derisa Drejtuesi apo grupi i tij të ketë të drejtën ta ndryshojë rezultatin. Ka raste kur drejtuesit gjykojnë (në votim mazhoritar) se një tjetër mund të fitojë, por jo atij t’i kërkojnë tërheqjen, por kjo mbetet në dorë të fituesit.
Do të ishte e dobishme për një rezultat më real të mendimit të zgjedhësve, pra për një përzgjedhje që nesër do binte më shumë vota nga elektorati, që secili votues të kishte disa vota- preferenciale. Me këtë mënyrë do të sigurohej një përzgjedhje më e saktë e atyre që kanë mbështetje ( në Tiranë nga 13 500 votues, kush ka edhe 400 vota hyn në Listë).
Dhe kur flasim për lista nuk mund të mos shprehim mendimin tonë që sistemi i krijuar nga Grushti i Shtetit i 2008-ës nuk është aspak kushtetues, përderisa i zgjedh pronari i Partisë një pjesë të kandidatëve; kur shkelet e drejta për t’u zgjedhur dhe zgjedhur. E po aq dhe ndarja në qarqe e jo një Listë unike.
E shikoj normale që disa vende në fillim të Listës t’i caktojnë Organet drejtuese të partisë (jo Pronari që ka “zanun” Partinë ), sepse votën e japin për kandidatin e Partisë; d.m.th. e shumta 5 për Tiranën, nga dy për qarqet e mëdha dhe nga 1 ose asnjë për të vegjëlit.
E për mos t’u zgjatur; vetë reagimi, që pa u shpallur mirë rezultatet u botua një rregull totalitarist që këtë rezultat do ta korrigjojë partia, duke futur ata që dihet se i binden apo janë bashkëkrahinarët e tij…Prandaj po ta përsëris që nuk janë Primare por një akt stalinist: Populli le të votojë, ne do t’i numërojmë !!!