Nga Mero Baze/
Gati një vit më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, në maj të vitit 2024, ka pasur një debat gjatë seancës dëgjimore për raportin vjetor të veprimtarisë me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsi Çela, dhe Kryetarin e ILD-së, Artur Metani, rreth afateve të regjistrimit të emrit në regjistrin e çështjeve penale për personat nën hetim, me të cilin spekullohet rëndë në kurriz të afateve për të akuzuarit.
Një vendim i vitit 2002 i Gjykatës së Lartë që e ka rregulluar këtë çështje ligjore vazhdon të mos zbatohet as në vitin 2024. Kryeprokurori Olsian Çela e ka pranuar në seancë se “ky është një instrument që e lehtëson pozicionin e prokurorit në raport me hetimin, duke i dhënë mundësi të shtuara, por i penalizon qytetarët dhe këtu mendoj se kryesore është mbrojtja e qytetarëve.” (Kuvendi I Shqiperise. 23 Maj 2024)
Bëhet fjalë për metodat represive që përdor prokuroria dhe që SPAK i ka ngritur në art si metodë pune, ku personat e dyshuar pyeten si persona nën hetim pa u regjistruar dhe duke i shantazhuar, ndërkohë që ata nuk regjistrohen pasi u skadojnë afatet dhe prokurorët nuk janë në gjendje të provojnë akuzat.
Është një teknikë e shpifur repressive, që prokurorët tani e kanë kthyer në ligj, edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Lartë unifikues që e ndalon këtë.
Kryeprokurori i Shqipërisë e pranon se kjo është bërë praktikë e rëndomtë, por askush nuk shqetësohet.
Të njëjtin shqetësim ia ka shtruar Komisioni i Ligjeve edhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke theksuar se ka një numër të frikshëm dështimi të seancave gjyqësore, që përkthehen në dëme për buxhetin e shtetit nga kjo praktikë e prokurorëve.
Deputetët kanë kritikuar Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë që nuk i ka kushtuar vëmendje mënyrës se si merren masat e sigurisë, të cilat edhe kur merren, shërbejnë si një taktikë repressive në favor të prokurorisë, duke dëmtuar qytetarët.
Të gjitha këto i keni në procesverbalin e seancës dëgjimore më 23 maj 2024 me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsi Çela.
Kryeprokurori e ka pranuar skandalin, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë është njohur me skandalin, por praktika ka vazhduar.
Fjala vjen, Erion Veliaj është marrë në pyetje sikur të ishte person i regjistruar për ndjekje penale, ndërkohë që ka qenë në cilësinë e personit në dijeni. E gjitha bëhet që nga momenti i pyetjes ai të mos djegë afatet deri sa prokurori të gjejë faktet që të justifikojnë vendimin që ka marrë me mendjen e tij për ta dënuar me çdo kusht.
Dhe këtu dalim tek një problem i ri, tek pesha e përgjegjësisë që merr gjykata për shkak të kësaj praktike repressive të prokurorëve.
Meqë prokurorët janë të lirë të shkelin ligjin, madje ta bëjnë këtë praktikë të zakonshme, atëherë gjyqtarët të cilët përgjohen pa vendim gjykate nga SPAK janë të detyruar të noterizojnë një proces represiv.
Madje, për të shmangur çdo devijim nga noterizimi, organizojnë dhe fushata presioni mediatik mbi gjyqtarët, siç po ndodh me këtë gjyqtarin që ka çështjen Veliaj, duke shpikur lajme mbi presione financiare dhe psikologjike mbi të. Dhe e gjitha kjo bëhet që të mbulohet dhe të mos ketë ndonjëherë ndonjë vendim nga gjykata kundër masave të sigurisë repressive që kanë bërë si praktikë pune prokurorët.
Por problemi nuk është thjesht te gjyqtari i masës së sigurisë.
Kur në gjyq shkojnë profile të larta politikanësh dhe kur SPAK me Gjykatën Speciale bëjnë të fortin me ta, çështja nuk mbyllet aq lehtë dhe aq shpejt. Kur një qytetar shikon se si nuk ia del dot të mbrojë të drejtat e veta një ish-president, ish-kryeministër apo kryetar bashkie, natyrisht që nuk shpreson të mbrojë të drejtat e tij.
Por, nga ana tjetër, në Shqipëri do të fillojë të krijohet kultura e betejës juridike me prokurorët dhe represionin e tyre, dhe ashtu siç po bëhen shembull ndëshkueshmërie politikanët për korrupsion, ashtu edhe ndonjë prej tyre do përfundojë të bëhet shembull për gjithë jetën për standardin me të cilin operon në raport me ligjin.
Kostot financiare që i shkaktojnë shtetit gafat e tilla të prokurorëve, siç vihet re edhe në seancën dëgjimore në Kuvend, dhe mbi të gjitha dështimet për të hetuar korrupsionin dhe përfundimi i gjithë çështjeve në vetting me prova të kërkuara rrugës, tregojnë se në fillim janë marrë vendime dhe janë bërë lista, e pastaj kanë filluar hetimet.
Jeta nuk është 24 orë sa zgjat ankthi i një seance gjyqësore dhe beteja nuk përfundon në një gjykatë.
Ndryshe nga qytetarët, politikanët apo njerëzit publikë kanë aftësinë dhe çlirimin psikologjik ta çojnë betejën deri në fund ndaj represionit, dhe këtu duhet të maten mirë të gjitha palët. Sidomos ata që mendojnë se ngaqë janë zgjedhur të ndëshkojnë, janë të pandëshkueshëm./TEMA