Në ditën kur u vendos kalimi i ish kryeministrit socialist Pandeli Majko për fushatë elektorale nga Kukësi në Tiranë, kreu PD Sali Berisha e akuzoi Majkon për përfshirje në krime elektorale.
Madje zoti Berisha shkoi më tej kur tha se “SHISH për këtë kishte kryer një përgjim ambiental në një lokal në Kukës”.
Vetë Pandeli Majo përmes kryetares së kuvendit Elisa Spiropali i drejtoi një kërkesë SHISH, për të marrë informacion pas këtij pretendimi të pohuar publikisht në një konferencë për shtyp nga Sali Berisha.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, e ka parë përgjigjen e SHISH për kuvendin, përmes të cilës rrëzohet pretendimi i zotit Berisha. Në përgjigjen e shkurtër me mbishkrimin sekret mbërritur në kuvend disa javë më parë thuhet:
“Nuk kemi bërë dhe as nuk disponojmë ndonjë përgjim ambiental apo në forma të tjera, ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Pandeli Majko. Ligji për SHISH e parashikon qartësisht mënyrën, formën dhe marrjen e lejeve përkatëse se kur dhe si përgjohet një deputet i parlamentit”.
Kjo përgjigje i jep fund përplasjes Berisha-Majko mbase edhe duke kthyer paqen në heshtje mes tyre.
Në një intervistë për Top Channel Pandeli Majko e përjashtoi mundësinë e ngritjes së një padie për shpifje ndaj zotit Berisha.
“Unë e kam parim. Nuk para bëj akuza për natyra të tilla. Nuk e kam bërë për asnjë gazetari apo politikani pasi mendoj se nëse do të merresha më këtë do të duhej shumë kohë dhe financim. Mendoj se çdo qytetar e ka shumë të qartë se unë nuk mund të shkoja në Kukës e të fitoja zgjedhjet duke shitur shtylla” deklaroi Majko për disa javë më parë.
I kontaktuar nga Top Channel për një reagim pas përgjigjes së SHISH deputeti Pandeli Majko, tha se “ do të respektonte kërkesës e këtij organi të sigurisë kombëtare për mos të ndarë asnjë detaj nga ky dokument i sigluar si sekret”.
Pandeli Majko as e mohoi dhe as e konfirmoi përgjigjen e SHISH parë nga Top Channel. (TOP CHANNEL)