Mero Baze
Beteja belbëzuese e Gjykatës Kushtetuese me SPAK, rreth urdhrit të prokurorit Klodian Braho për të vënë nën përgjim një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është pasoja e parë e rëndë e nënshtrimit të gjyqësorit ndaj prokurorisë. Kjo vjen për shkak të lirisë që i kanë dhënë vetes për të interpretuar hapësirën e veprimit ndaj një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, pa e regjistruar atë si person që i atribuohet një vepër penale, e lëre më si person nën hetim.
Përgjigjia e Altin Dumanit rreth rastit në fjalë është një përgjigjie “me arra në gojë”, për të mos u kuptuar se çfarë përgjegjësie merr si institucion në këtë rast dhe për të treguar se ka disa gjëra që “vetëm SPAK i di”, siç është rasti se kush përgjohet.
Reagimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese ishte edhe më keq se përgjigjia e Dumanit. Ata as thonë dhe as kërkojnë llogari pse është shkelur ligji, por duan të thonë se nuk ndikohen nga askush, as nga SPAK, dhe as nga krimi.
Kjo është një sjellje banale dhe një humbje e autoritetit të institucioneve të drejtësisë. Për të gjithë lexuesit që nuk janë në brendësi të debatit, bëhet fjalë për një urdhër të datës 10 shkurt të prokurorit të SPAK, Klodian Braho, i cili ka urdhëruar lejimin e përgjimit ambiental duke pasur në fokus gjyqtarin Genti Ibrahimi. Sipas tij, pasi Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë më 30 dhjetor kërkesën e të pandehurit Pëllumb Gjoka për të mos u marrë në konsideratë përgjimet e SKY, ekzistojnë dyshime se zbardhja e vendimit mund të favorizojë palët e interesuara.
Pra, Gjykata ka marrë një vendim që është në favor të kërkesave të SPAK dhe jo të të pandehurit, por meqë SPAK dyshon se mund të zbardhet keq vendimi, ka urdhëruar të përgjojë Genti Ibrahimin.
Kaq është e gjithë fabula.
Pozitat procedurale sipas Gjykatës së Lartë:
Gjykata e Lartë ka parashikuar tre pozita proceduriale për personat e përfshirë në një procedim penal:
1. Personi që i atribuohet një vepër penale – Ky është personi i kallëzuar, ndaj të cilit ekzistojnë veprime që mund të krijojnë dyshime për konsum të një vepre penale.
2. Personi nën hetim – Është personi ndaj të cilit zhvillohen hetime individualisht dhe dyshohet se ka kryer një vepër penale.
3. I pandehuri – Kur prokuroria ka krijuar bindjen se personi ka kryer një vepër penale.
Tani, me gjuhë të drunjtë dhe “arra në gojë” për t’u dukur institucionalë, mund të flasësh gjithë ditën, por përgjigjet duhet të jenë të qarta si nga SPAK, ashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Pyetja kryesore që duhet një përgjigje e qartë:
A është e ligjshme shkresa e Klodian Brahos e datës 10 shkurt?