Pas 15 vitesh te Lazio, Igli Tare vendosi të largohej nga posti i drejtorit sportiv në verën e 2023 dhe prej asaj kohe 51-vjeçari ka qenë i “papaunë”. Sot, ish-sulmuesi i Kombëtares është më pranë se kurrë për të qenë pjesë e Milanit, kjo në rolin e drejtorit sportiv.

Tare është në “pole-position” dhe ka lënë pas emra si Andrea Berta apo Fabio Paratici. Takimi i së premtes së shkuar në Londër me pronarin e kuqezinjve, Gerry Cardinale, shkoi mirë dhe duket se “bjondi” shqiptar bind Milanin me përvojën dhe njohjen e tregut, si edhe me gjashtë gjuhët që njeh e flet.

Tare refuzoi Milanin në 2019

Igli ishte pranë Milanit në verën e 2019, kur asokohe Maldini e kërkonte si krahun e djathtë, pikërisht në vitin kur në Milanello u ul në stol Giampaolo. Në fund Tare refuzoi me mirësjellje, kjo për të respektuar kontratën që kishte me Lazion. Tanimë duket se kushtet janë “pjekur” dhe palët do bëhen bashkë, me Taren që ka në dorë ndërtimin e Milanit të ardhshëm së bashku me Ibrahimovicin.

Mediet në Itali e bëjnë thuajse të kryer dhe Tare pranon se gjithçka është në rrugën e duhur, me zyrtarizimin që mund të vijë në orët ose ditët në vijim.