Sali Berisha shpërbleu besnikët e tij me primaret dhe spastroi listat e sigurta nga rebelët. Nga rezultatet në shumicën e qarqeve, më të votuarit rezultuan deputetë aktualë të rreshtuar krah tij, ose kryetare degësh të zgjedhur prej votimeve të Rithemelimit.
Në Durrës, primaret i fitoi ish- kandidati për kryebashkiak, Igli Cara ndërsa nga gratë Manjola Luku. Te dy do të jenë në listë të sigurt, kurse ish prokurori Arjan Ndoja mori vetëm 159, duke kaluar pragun për të qenë kandidat në listë të hapur.
Ndërsa zëdhënësja e Berishës, Floriana Garo nuk arriti të merrte mbështetjen e bazës pasi siguroi vetëm 32 vota, duke humbur shansin për të hyrë në listën e PD-se për një vend në Parlamentin e Shqipërisë.
Pasi humbi zgjedhjet për Bashkinë e Shkodrës në 2023, Bardh Spahia do duhet të luftojë në listë të hapur për një karrige deputeti, pasi u rendit i treti në primaret e Shkodrës, pas Ramadan Likajt dhe Gentjan Ndoj. Po ashtu në listë të hapur do të jetë edhe deputeti I Pukës Ludovik Hasani,
Në Elbasan, Dashnor Sula, arriti të merrte numrin më të lartë të votave, i ndjekur nga kryetari i degës Blendi Himci. Ndërsa deputetet më pak të njohur për aksionet e opozitës, Lefter Gështenja dhe Zheni Gjergji përfunduan në liste te hapur..
Ne Fier, i pari doli kryetari i degës se Lushnjës, Eduart Sharka, pas tij deputeti besnik Luan Baçi, kurse në vend të katërt rezultoi Saimir Korreshi.
Në Vlorë, me e votuara ishte deputetja Ina Zhupa, pas tij kryetari i degës Atird Hoxha, kurse në Korcë Bledion Nallbati,bashkë me ish kandidaten për kryebashkiakë Ledina Alolli.
Në Berat, vendin e sigurt e mori ish kandidati për kryebashkiak, Zija Ismaili.
Edhe në Diber, një ish-kryebashkiak, Ilir Krosi doli me i votuari, kurse ish-gjenerali Xhemal Gjunkshi dhe deputeti Kreshnik Çollaku, të cilët vetëm se fundmi iu bashkuan Berishës, nuk ia dalin të kapin një vend as në listë të hapur.
Ndërkohë në Kukës, deputeti i Tropojës Isuf Çela mbetet jashtë liste, pasi me të votuar dolën dy kandidatë lokale. Ky rezultat, sipas Admir Sinamatit, tregon qartë se demokratët nuk pranojnë imponimin e Flamur Nokës pasi asnjë nga të preferuarit e tij nuk u mbështet me votë.
Kurse në Gjirokastër, ku gjithashtu nuk pati garë për listën e mbyllur, me e votuara doli një grua, kurse Arben Ristani ia doli të jetë në listë të hapur.
Megjithatë, në këto primare ku PD zbuloi 50 mijë votuesit, por jo sa anëtare kishin të drejte vote, do të shihet se sa Berisha do i qëndrojë votëbesimit nga demokratët për kandidatët. Dy kushte të tjera të cilat ai ka shtuar, janë dhe 300 votat ne diasporë për secilin dhe angazhimin politik. Ishte vete kryedemokrati që njëherë e shkeli statutin për drejtuesit politike, për të mbrojtur besnikët e tij.