Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy më Sy” i është përgjigjur sërish komenteve të ndjekësve të Facebook.

Rama u ndal tek projekti për Tragjasin, duke shpjeguar se projekti për sistemin e ujësjellësit bazohet i gjithë në studime të mirëfillta dhe se sa i përket ujit të pijshëm do të plotësohen nevojat.

“Unë jam përpjekur ta shpjegoj që projekti bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik. Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, janë bërë analiza për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjes ka, dhe sa i duhen mjedisit ekologjik, përfshirë edhe vaditjen e tokave. Sa prurje ikin në det etj…Të gjithë këto aspekte teknike që i dinë më mirë ekspertët dhe mbi bazën e këtyre është bërë projekti. Sistemi atje është komplet i amortizuar, një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime për të marrë ujë me puse. Ne e shohim si një zonë me potencial të madh zhvillimi për turizmin dhe transformimin për vetë banorët. Edhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projektit. Do të bëhet ujësjellësi i ri për Tragjasin, kanalizime të reja. Një projekt bëhet me profesionistë, dhe bazohet në matje, analiza që krijojnë idenë për mënyrën dhe sasinë e shfrytëzimit që të ruhen të gjitha balancat”, tha Rama.