Mero Baze
Duket qartë që dueti Rama–Basha e ka shqetësuar Sali Berishën. Edhe pse i gjithë dueti i tyre në fakt synon krijimin e një modeli komunikimi pozitiv mes pushtetit dhe një pjese të opozitës, nuk është ndonjë gjë e koordinuar, por thjesht një ide e Ramës për të anashkaluar Berishën, ide të cilës Basha po i reziston shumë mirë.
Aktualisht Basha ka spostuar Berishën në përfoljen në rrjetet sociale. Për Bashën, në Facebook tani flasin rreth 64 mijë veta, nga 41 mijë që flasin për Berishën, sipas matjeve të tre ditëve të fundit. E di që këto nuk janë vota, por janë vemendje ndaj dikujt që i kishte rënë interesi.
Beteja e tij në distancë me Ramën e ka kthyer atë në vëmendjen e rrjeteve sociale dhe bashkë me të dhe nervozimin e Berishës.
Nëse ditën e parë e quajti “dashuri platonike”, ditën e dytë uroi “të shtohej”, sot duket se e humbi qetësinë dhe tha se “Luli do zëvendësojë Lalin në PS”.
Pra, e do me çdo kusht ta nxjerrë nga logjika e opozitës dhe ta çojë në qeveri para 11 majit, që të mos i marrë vota.
Por kjo më shumë zbulon varfërinë e fushatës së Berishës sesa ndonjë gjë serioze në komunikimin Rama–Basha.
Deri tani, fushata e Berishës është e përqendruar vetëm tek konferencat e shtypit të Berishës dhe videot e Klevis Balliut, që edhe po t’i paguante Edi Rama për t’u tallur me PD-në, nuk do t’i bënte kaq mirë.
LaCivita, i cili pritej të bënte magjinë, është zhdukur pa lënë gjurmë, dhe uroj që Flamuri të mos thotë që edhe këto videot e Klevisit, ashtu si koalicioni me Gjuzin, ishin ide e LaCivita-s. Se pastaj do na mbushet mendja që LaCivitas-it ia shkruan statuset Flamuri!
Një fushatë e çoroditur, pa asnjë ide, e mbështetur deri tani tek premtimi që në mes të marsit Berisha do jetë “non grata” dhe do ikë në SHBA, dhe që vazhdon me konferencat e shtypit të Berishës mbushur me fantazi kriminale për kundërshtarin, është jo vetëm e mërzitshme për çdo qytetar, por është favorizuese për gallatën Rama–Basha. Pasi u duket njerëzve më relaksuese të dëgjojnë si shahen ata të dy me “dashamirësi”, siç zihen krushqit në dasma në Labëri, sesa të shikojnë videot e Klevisit dhe deklaratat e Flamurit për të ardhmen e shqiptarëve nën udhëheqjen e tyre.
Madje kjo deklarata e sotme e Berishës, që kërkon të krijojë idenë e një aleance Rama–Basha në qeverinë e pas 11 majit, vetëm sa i jep më shumë shpresë njerëzve të Bashës dhe dëshpëron më shumë të vetët.
Nuk është ide e mirë të tregosh se kundërshtarët e tu do qeverisin e ti do mbetesh rrugëve, qoftë edhe kur ata e marrin me të qeshur betejën me njëri-tjetrin.