Nga Mero Baze/

Sali Berisha ka ofruar 7 mandate deputetësh në listë të mbyllur për ata që i quan aleatë të Partisë Demokratike, të cilët të gjithë së bashku, edhe nëse votohen, nuk e nxjerrin dot një deputet. Përtej shtatë mandateve, ai ka rezervuar po kaq dhe më shumë vende në listat e hapura, e cila vlen për t’u dukur koalicion dhe më i fortë, ngaqë askush prej tyre nuk hyn dot deputet.

Po përse Berisha është kaq bujar me aleatët dhe kaq dorështrënguar me “demokratët”?

Për ta kuptuar këtë gjë, ju mjafton shembulli i Fatmir Mediut. Për gati 25 vite në PD, ai mund të quhet fare mirë nënkryetar i Partisë Demokratike. Prej vitit 2001, ai është deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga Sali Berisha dhe është gjithmonë i sigurt në listë në çdo palë zgjedhje. Nuk ka as vota, as ndonjë karizëm popullore, dhe i vetmi tipar si politikan është se, si mediokër klasik, flet pa ndërprerje dhe pa kuptim, sa orë të duash, duke ta kursyer nevojën të mbash mend se për çfarë foli dhe çfarë tha.

Prej vitit 1998 që ai ka marrë drejtimin e Partisë Republikane, ai është konsideruar gjithnjë si numri 2 në PD, ndërkohë që askush nuk i mban mend nënkryetarët e PD-së që janë ndërruar prej atëherë.

Arsyeja është se Berisha ka gjithnjë nevojë për njerëz informalë rreth vetes dhe jo për njerëz që formalisht kanë poste dhe pushtet në PD.

Për këtë arsye ai është gati të mbajë 5 a 7 tipa si Fatmir Mediu për të mos pasur nënkryetarë realë të Partisë Demokratike apo njerëz që mund të marrin pushtet brenda PD-së.

Shikoni sjelljen e tij ndaj Ilir Metës. Duke qenë se Meta ka qenë kryeministër, president dhe kryetar parlamenti i së majtës, ai nuk e lëshon kurrë si aleat edhe tani që e di që nuk ka asnjë votë. Nuk i duhet për vota, por i duhet për të formuar partinë joformale të opozitës me njerëz jashtë PD-së. Duke qenë se me Metën tani e bashkon dhe beteja me drejtësinë e re dhe përpjekja për t’u bërë sovranist kundër SHBA, i ka dhënë atij katër vende të sigurta në listat e mbyllura.

Po t’i hedhësh një sy listës së aleatëve të tij, e kupton se ata janë të gjithë njerëz që nuk kanë çfarë humbasin nga çdo pazar i Berishës, pasi nuk kanë më vota. Vangjel Dule, për shembull, i cili u largua nga koalicioni qeverisës me PS-në pse aty u afrua Shpëtim Idrizi më 2015, tani rri urtë dhe mirëpret Shpëtim Idrizin. Në fakt, nuk ka fare problem me Idrizin, por me mungesën e votave dhe nevojën që të jetë deputet me votat e Berishës. E vetmja gjë që i premton Berishës janë raportet me Greqinë dhe Fredi Beleri.

Pranë gjithë atyre që Berisha i quan koalicion opozitar, nuk ka asnjë që i çon një mandat të plotë Berishës. Përkundrazi, Berisha i ka blerë ata si fasadë me mandatet e deputetëve të demokratëve, të cilët po i lë jashtë liste.

Dhe arsyeja është e qartë: ata i duhen Berishës jo vetëm që të mos duket vetëm, por mbi të gjitha i duhen si një aparat për të shmangur vendimmarrjen e opozitës nga bashkëpunëtorët e tij në PD dhe për ta pasur tërësisht atë në dorë, duke bërë sikur konsultohet me “aleatët”. Në fakt, ata janë aty thjesht nga bezdia që Berisha ka për “demokratët”./TEMA