Vizita e bashkëshortes së zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, Usha Vance, në Groenlandë është kritikuar nga kryeministri i vendit Mute B. Egede.

Sipas tij vizita është ‘shumë agresive dhe ul marrëdhëniet në një nivel të ri’ pasi presidenti i SHBA, Donald Trump është zotuar se të aneksojë territorin autonom danez.
Usha Vance do të udhëtojë në Groenlandë këtë javë për të parë garën kombëtare të qenve të ishullit dhe “të festojë kulturën”, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz gjithashtu pritet të vizitojë territorin këtë javë, shkruan CNN.

“Çfarë bën këshilltari i sigurisë kombëtare në Groenlandë? Qëllimi i vetëm është të demonstrojë pushtet mbi ne. Prania e tij e thjeshtë në Groenlandë pa dyshim do të ushqejë besimin amerikan në misionin e Trump dhe presioni do të rritet”, tha Egede në një intervistë.

Trump ka shprehur vazhdimisht interesin që SHBA ta marrë ishullin edhe me forcë nëse është e nevojshme, edhe pse Danimarka dhe Groenlanda e kanë hedhur poshtë me vendosmëri idenë. “Unë mendoj se ne do ta arrijmë atë në një mënyrë ose në tjetrën”, ka deklaruar Trump pak javë më parë.
Partia e majtë në pushtet e Egede, IAInuit Ataqatigiit, u mund në zgjedhjet parlamentare në fillim të këtij muaji , por ai mbetet kryeministër derisa të formohet një koalicion i ri qeverisës.