I dërguari për Misione të Posaçme i SHBA, Richard Grenell ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale një postim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili lëshon akuza të ashpra ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, e cila vendosi që të mos lejojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi të marrë pjesë në funeralin e babait të tij të ndjerë.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, Rama e cilëson Specialen si një gjykatë të turpshme që po u mohon edhe të drejtat më demokratike të akuzuarve.

“Një veprim i ulët nga një gjykatë e turpshme dhe e paturpshme që drejtësinë ndërkombëtare e ka kthyer në shaka, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangët më brutalë!”, thotë Rama.

Ish-emisari për Ballkanin mbetet një nga kritikët më të mëdhënj të Gjykatës Speciale. Së fundi, Richard Grenell, në urimin për Pavarësinë së Kosovës, u shpreh i shqetësuar për atë që po i bëhet Hashim Thaçit.
Ai e quajti Thaçin “si themelues” të Kosovës duke shtuar se ai “do të duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa hekurave në Hagë.”