Takimi i fundit i bërë në Londër me Xherri Kardinalen dhe Zlatan Ibrahimoviç ditën e premte ka qenë vendimtar për Igli Taren. Prestigjozja “la Repubblica” sjell për lexuesit e saj prapaskenën sipas së cilës e ardhmja e Milanit do t’i besohet ish-lacialit, i cili vlerësohet edhe se është njohës i mirë i plot gjashtë gjuhëve të huaja.
Ndërkohë “La Gazzetta dello Sport” në numrin e sotëm i ka bërë edhe një profil të detajuar 51-vjeçarit. Sipas të përditshmes rozë Tare ka bindur drejtuesit për atë çfarë ka treguar në Romë. Sipas gazetës sportive më të madhe në Itali profili i Tares konsiderohet si ideal për momentin që po kalon “Djalli” kuqezi.
Shqiptari gjatë punës së tij me Lotiton ka treguar se di se si të menaxhojë marrëdhënie me “eprorë” kërkues duke mbajtur ekipin kompetitiv me pak shpenzime.
Ndërsa sipas “il Corriere della Sera” Igli Tare ka mundur të fitojë këtë vend të rëndësishëm pune edhe falë ndërhyrjes së super-menaxherit të Kristiano Ronaldos, Zhorzh Mendez. Kujtojmë se ky i fundit është në marrëdhënie mjaft të mira më drejtuesit e Milanit pasi në dimër u dërgoi në formë huazimi një lojtar si Zhoao Feliks.
Nëse Tare do të zyrtarizohej atëherë Mendez do të “blindonte” qëndrimin në Milano edhe të një tjetër figure të dashur. Xhefri Monkada do të rinovonte kontratën, e cila i skadon në fund të sezonit, dhe do të merrej me sektorin e zbuluesve të talenteve.