Nga Ardit Rada
Vox Dei, Vox Iustitiae !
Në çdo demokraci funksionale, ndarja e pushteteve është gur themeli i shtetit të së drejtës. Gjykatat janë garancia për qytetarët se ligji zbatohet me drejtësi, ndërsa Parlamenti është institucioni që përfaqëson vullnetin politik të popullit. Por çfarë ndodh kur këto dy pushtete bien nën frikën e një prokurorie të fuqizuar përtej kontrollit kushtetues? Atëherë nuk kemi më një shtet demokratik, por një Republikë të Prokurorëve, ku vendimet nuk merren më nga gjykatat dhe politika, por nga një grusht prokurorësh të paprekshëm.
Ngjarja e fundit, ku Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është vënë nën përgjim nga SPAK, është një kambanë alarmi që nuk duhet të neglizhohet. Nuk kemi të bëjmë me një hetim rutinë, por me një akt që tregon se askush nuk është më i sigurt nga makineria e prokurorisë. Kur një prokuror merr lirinë të vërë nën përgjim një anëtar të Gjykatës Kushtetuese pa procedura të qarta ligjore, pa e regjistruar si të dyshuar dhe pa një bazë të fortë ligjore, atëherë drejtësia nuk është më e pavarur – ajo është e nënshtruar.
Nëse kjo kalon pa reagim, atëherë nesër nuk do të ketë nevojë më për gjykata dhe parlament: gjithçka do të vendoset nga një grup prokurorësh që nuk i përgjigjen askujt. Dhe kjo nuk është hipotezë abstrakte. Rumania është një shembull konkret i një shteti që për pak rrëshqiti drejt një Republike të Prokurorëve, me pasoja të rënda për demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.
Rasti i Rumanisë: Nga Lufta ndaj Korrupsionit tek Sundimi i Prokurorëve
Në vitet 2000, Rumania krijoi Direcția Națională Anticorupție (DNA), një institucion i fuqishëm me kompetenca të gjera për të ndjekur penalisht korrupsionin në nivelet më të larta të shtetit. Fillimisht, suksesi i DNA ishte mbresëlënës: dhjetëra ministra, kryetarë bashkish dhe biznesmenë të mëdhenj u arrestuan dhe dënuan për korrupsion. Rumania u pa si një model për rajonin.
Por shumë shpejt, fuqia e pakontrolluar e DNA-së krijoi një realitet të frikshëm:
1. Hetime selektive dhe përndjekje politike – Prokuroria nisi të hetonte dhe ndëshkonte kryesisht opozitën, ndërsa qeveria mbetej e paprekur.
2. Presion mbi gjyqtarët – Çdo gjyqtar që merrte një vendim kundër DNA-së, përballej me hetime dhe kërcënime.
3. Përdorim masiv të përgjimeve – Politikanë, biznesmenë dhe gazetarë ishin nën përgjim konstant, shpesh pa arsye të qarta ligjore.
4. Bashkëpunim i fshehtë me shërbimet sekrete – DNA u kthye në një instrument kontrolli politik, duke vendosur nën survejim gjithçka.
Në vend që të luftonte korrupsionin, DNA krijoi një sistem ku frika dhe jo drejtësia ishte mjeti i sundimit. Në fund, Rumania u detyrua të reformonte sistemin, duke vënë kontrolle më të forta mbi pushtetin e prokurorëve, për të mos lejuar që një agjenci e vetme të vendoste mbi fatin e vendit.
A po ndodh e njëjta gjë në Shqipëri?
Në Shqipëri, SPAK është krijuar me të njëjtën filozofi si DNA-ja rumune: një prokurori speciale, e mbrojtur nga çdo lloj kontrolli politik dhe e pajisur me kompetenca të jashtëzakonshme. Ky ishte një hap i nevojshëm për të luftuar korrupsionin. Por tashmë po shohim shenja të qarta të një përqendrimi të rrezikshëm të pushtetit në duart e pak prokurorëve, pa asnjë mekanizëm kontrolli ligjor mbi ta. Me një BKH që ushtron veprimtari gjurmuese dhe policore, në duart e tyre , SPAKU i ka dhënë të drejtë vetes të ushtrojë kompetenca që i përkasin policisë së shtetit dhe SHISH, duke dalë nga misioni i saj kushtetues , ligjor dhe procedurial.
Rasti i fundit me përgjimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese është një akt që duhet të alarmojë çdo qytetar.
Nëse prokurorët e SPAK mund të vënë nën përgjim anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pa i regjistruar fare si të dyshuar, atëherë çdo njeri në Shqipëri mund të bëhet shënjestër e një mekanizmi të pakontrolluar hetimi.
Kjo nuk është drejtësi. Kjo është një Republikë e Prokurorëve.
Heshtja e Parlamentit dhe frika e institucioneve
Gjykata Kushtetuese, në vend që të ngrinte alarmin për shkeljen e ligjit, dha një reagim të vakët dhe pa thelb. Parlamenti, që duhet të garantojë kontrollin demokratik mbi institucionet e pavarura, hesht nga frika ose nga kalkulimet politike. Asnjë deputet nuk guxon të hapë një debat serioz për këtë çështje, nga frika se SPAK mund ta shënjestrojë nesër.
Në një demokraci të shëndoshë, ky do të ishte momenti për një debat parlamentar urgjent, për të diskutuar nëse SPAK ka shkelur ligjin dhe për të vendosur masa mbikëqyrjeje më të forta mbi të. Por, ashtu si në Rumani, frika ka zëvendësuar përgjegjësinë.
Çfarë duhet bërë para se të jetë vonë?
Shqipëria nuk mund të përsërisë gabimet e Rumanisë. Për të shmangur krijimin e një Republike të Prokurorëve, duhet të ndërmerren disa hapa urgjentë:
1. SPAK duhet të jetë i pavarur, por jo i pakontrolluar – Parlamenti duhet të vendosë mekanizma mbikëqyrjeje për të parandaluar abuzimin me pushtetin hetimor.
2. Përdorimi i përgjimeve duhet të rregullohet me standarde të qarta – SPAK nuk mund të vendosë i vetëm se kë do të përgjojë, pa transparencë dhe pa kontroll gjyqësor të fortë.
3. Gjykatat duhet të rivendosin autoritetin e tyre – Gjykata Kushtetuese nuk mund të lejojë që një prokuror të sillet sikur është pushteti suprem në vend. Ajo duhet të reagojë fort ndaj shkeljeve të standardeve ligjore.
4. Debati mbi drejtësinë duhet të çlirohet nga frika – Sot kushdo që kritikon SPAK-un, ashtu si ndodhte me DNA-në, etiketohet menjëherë si mbrojtës i korrupsionit. Kjo e bën të pamundur një debat të shëndetshëm për të korrigjuar abuzimet. Asgjë nuk mund të justifikojë heshtjen e politikës dhe medias kur shkeljet e ligjit janë kaq flagrante. Çdemonizimi i kritikëve të SPAK-ut i hap rrugë një debati të shëndetshëm mbi të ardhmen dhe rolin e kësaj strukture në luftën reale kundër korrupsionit në Shqipëri.
Nëse sot lejojmë që një anëtar i Gjykatës Kushtetuese të përgjohet me procedurë të dyshimtë, aspak transparente, nesër çdo gjyqtar, deputet apo qytetar mund të jetë shënjestër e një sistemi të pashpirt dhe të pakontrolluar. Dhe atëherë, nuk do të kemi më një shtet ligjor – do të kemi një Republikë të Prokurorëve, ku çdo vendim nuk merret më në Parlament apo në Gjykatë, por në zyrat e prokurorëve të SPAK-ut. Zgjedhjet dhe vota e popullit nuk do të ketë më vlerë, vlerë do të kenë vendimet rutinë të prokurorëve të emëruar ( jo të zgjedhur me votë) të SPAK-ut që do të vendosin se kush do bie e kush do ngrihet në politikë, kush do të qeverisë e kush do të bëjë opozitë, kush do ulet e kush do zbohet nga parlamneti, qeveria , gjykatat .. dhe deri se edhe kush do të flasë e kush e kush do heshtë.
Dhe kjo nuk është më demokraci, por një Republikë e Prokurorëve, e cila në fund dëmton më shumë qytetarët sesa të korruptuarit.
Dhe për një sistem të tillë, shqiptarët nuk kanë votuar kurrë.