Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka propozuar një plan të mundshëm paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se është i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje duke i dhënë SHBA-së akses në pasurinë minerale të vendit të tij. Në reagimin e tij presidenti ukrainas pranoi se takimi i tij me homologun Donald Trump “nuk shkoi ashtu siç duhej”. Zelenskyy përsëriti përkushtimin e Ukrainës për paqen dhe vlerësoi Trumpin për furnizimin e ushtrisë së tij me raketa “Javelins”.

“Do të doja të ritheksoja përkushtimin e Ukrainës për paqen. Asnjëri prej nesh nuk dëshiron një luftë të pafund. Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të afruar paqen e qëndrueshme. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit. Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat. Ne jemi të gatshëm të punojmë shpejt për t’i dhënë fund luftës dhe fazat e para mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe armëpushimi në qiell – ndalimi i raketave, dronët me rreze të gjatë, bombat në energji dhe infrastrukturë tjetër civile – dhe armëpushimi në det menjëherë, nëse Rusia bën të njëjtën gjë. Pastaj ne duam të ecim shumë shpejt nëpër të gjitha fazat e ardhshme dhe të punojmë me SHBA-në për të rënë dakord për një marrëveshje të fortë përfundimtare. Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç duhej të ishte. Është për të ardhur keq që ndodhi në këtë mënyrë. Është koha për të rregulluar gjërat. Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv. Lidhur me marrëveshjen për mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm. Ne e shohim këtë marrëveshje si një hap drejt një sigurie më të madhe dhe garancive solide të sigurisë, dhe shpresoj vërtet se do të funksionojë në mënyrë efektive”, u shpreh Zelensky në një postim në rrjetin social “X”.

U VENDOS! Presidenti Trump pezullon ndihmat ndaj Ukrainës, Kievi: Kemi dhe 6 muaj armatime!
Presidenti Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën pas debatit të tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi sot se ai nuk do të lejojë më ndihmë për Ukrainën. Vendimim i Trump ka shkaktuar shqetësim në vendet e tjera të Europës. Sipas Inteligjencës finlandeze, ata do të jenë objektivi i radhës së Rusisë, nëse këta të fundit arrijnë që të pushtojnë Ukrainën. Sipas raportit vjetor të Supo, shërbimi finlandez i sigurisë dhe inteligjencës, përfundimi i luftës në Ukrainë do të “rriste aftësinë e Rusisë për t’u përfshirë në aktivitete armiqësore diku tjetër në Evropë”