Lajmin e keq e dha që në fillim. Trajneri i kombëtares, Silvinjo, nuk deshi që ta pyeste njeri që të tregonte mungesat për shkak dëmtimi ndaj Anglisë dhe Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës.
Tekniku brazilian foli me radhë për secilin.
“Ne kemi 4 futbollistë që për shkak dëmtimi nuk vijnë në grumbullim. I pari është Mario Mitaj. Ai ka një dëmtim në këmbë. Ka qenë një muaj e gjysmë apo më shumë jashtë fushe. Luajti 45 minuta në ndeshjen e fundit, por duhet të bëjë një ndërhyrje. Pra ka ndaluar. Nuk mund t’ia dalë. I dyti është Keidi Bare. Edhe ai u dëmtua në një seancë stërvitore tre ditë më parë. Doktori ynë Stesina foli me doktorin e Saragozës, dhe për fat të keq në këtë moment është i padisponueshëm. I treti është Hysaj. Kam folur me të, as ai nuk ia del. Ndoshta kthehet në fushë pas ndërprerjes së kampionateve dhe do të luajë në ekipin e tij. I fundit që nuk mund ta kemi është Daku. Edhe ai ka një dëmtim dhe prej muajsh po luan me vështirësi. Kemi folur me lojtarin. Është më mirë që ai të trajtohet për t’u kthyer sa më shpejt, edhe për ekipin e tij, por edhe për ne sepse është një alternativë për ne”.
Broja dhe Ismajli janë kthyer në ekipet e tyre, por si është gjendja e tyre pas dëmtimeve?
“Kemi 10 ditë që komunikojmë me të dy. Më shumë se 10 ditë. Janë dy gjëra të ndryshme. Të dy lojtarët kanë qenë jashtë fushave, e vërtetë. Ismajlit i ndodhi për herë të dytë. Në një ndeshje bëri 45 minuta, praktikisht 20 ditë më parë. Ai është pjesë e skuadrës së tij, po ashtu Broja. Ju e dini se lojtarët quhen të gatshëm kur kthehen në ekip, pra mund të vijnë në kombëtare, por padyshim që ne do ta vlerësojmë gjendjen e tyre. Duhet të mendojmë edhe nga ana strategjike. Kemi dy ndeshje të vështira, dhe do të shikojmë në seancat stërvitore. Kemi tre muaj e gjysmë pa i parë lojtarët nga afër. Ne i kemi ndjekur lojtarët, por fusha e lojës është tjetër gjë, dhe është fusha që do të flasë”.
Sa ndikon kjo situatë në planet tona për ndeshjen në Londër?
“Dëmtime ka për ne, ka edhe për ata. Ka për të gjithë. Për fat të keq këto janë gjëra që ndodhin. Gjithsesi, kombëtarja është gjithmonë e hapur. Vijnë lojtarë të tjerë. E tillë është puna jonë. Sa i përket eliminatoreve, përballë nesh janë dy ndeshje shumë të vështira. Janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ne duhet të punojmë shumë mirë për të dyja ndeshjet. Kur flasim për Anglinë, e dimë se është një nga kombëtaret më të forta të botës. Ka lojtarë shumë të fortë. Ka edhe një trajner shumë të mirë. Me trajnerin e kaluar arritën në dy finale të Europianit, nuk është pak, ndërsa trajneri i ri vjen shumë i motivuar. Përballë do të kemi një rival tepër të rëndësishëm. Ne duhet të përgatitemi shumë mirë”.
Çfarë ndryshimi planifikon Silvinjo që kombëtarja ta nisë mbarë fushatën për kualifikim në Botëror?
“Mendoj se është e vërtetë që ne duhet të punojmë për t’u përmirësuar. Nuk është thjesht çështje teknike apo taktike, por sidomos mentaliteti dhe niveli i përqëndrimit. Në dy vjet kemi humbur ndonjë ndeshje sepse na ka munguar niveli i duhur i përqëndrimit. Gjithsesi, mendoj se na ndihmon përvoja në Europian. Ne luajtëm ndaj Kroacisë, Spanjës dhe Italisë, dhe kjo na jep diçka më shumë. Ne jemi kombëtare e re, dhe jemi në rritje. Jam dakord. Do të provojmë të bëjmë ndryshime të rëndësishme në stimul, për të qenë më të përqëndruar, më mirë teknikisht e taktikisht. Ndoshta ndryshojmë skemën. E pranueshme. Gjithsesi, e gjitha kjo duhet të jetë brenda një ekuilibri si skuadër”, tha Sylvinho.
Në listë është ish-kapiteni I Kosovës, Etnik Brruti, si dhe mesfushori Juljan Shehu që luan në Superligën e Polonisë.