Rreth 170 alpinistë dhe pasionantë të ngjitjeve malore iu ngjitën këtë fundjavë majave të Thethit në Shkodër.

Ngjitja dimërore, e organizuar nga Federata Shqiptare e Alpinizmit, mblodhi 16 ekipe nga e gjithë Shqipëria, të cilat sfiduan majat “Binjake” të Thethit jo vetëm për adrenalinën e alpinizmit, por edhe për të promovuar bukuritë e rralla të turizmit malor.
Thethi ofroi një spektakël natyror me pyjet dhe majat e mbuluara me dëborë. Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, ekspedita u nda në tre grupe, të cilët sfiduan jo vetëm lartësitë e thepisura, por edhe terrenin e vështirë.

Dy majat “Binjake” ishin një sfidë për ngjitjen bjeshkatare, me kacavarje dhe përballje me kushtet e ashpra dimërore.
Ky aktivitet nuk ishte thjesht një aventurë sportive, por një mundësi për të treguar potencialin e Alpeve Shqiptare, ku natyra dhe adrenalina bashkohen në një eksperiencë të veçantë.