Çmenduria nuk ndodhi vetëm në Dortmund. Të gjitha përballjet e plej ofit në Ligën e Kombeve ishin për tension të lartë dhe ankth deri në fund, dhe dy herë u deshën penalltitë.

Spanja, kampione e Europës në fuqi, nuk e mendoi ndoshta se do të vuante aq shumë ndaj Holandës, por vetëm 11-metërshat e shpëtuan.
Pas barazimit 2-2 në Vendet e Ulëta erdhi një tjetër, këtë radhë 3-3 në stadiumin “Mestaja” të Valencias, në të cilin tulipanët madje ishin pranë kualifikimit.

“Furitë e Kuqe” shënuan për 1-0 me Ojarzabalin, pastaj për 2-1 me të njëjtin futbollist. Holanda barazoi dy herë, kur shënuan Depaj në nisje të pjesës së dytë dhe Matsen në 79’.

Në kohët shtesë, Lamin Jamal kaloi iberikët përpara në 103’, veçse Çavi Simons barazoi gjashtë minuta më pas. Penalltitë ishin për kampionët e Europës që fituan 5-4 pas gabimit të bërë nga Malen.

E njëjta dramë edhe në “Stadë dë Frans” të Parisit. Franczët, nënkampionë të botës, fituan 2-0 ndaj Kroacisë duke shpëtuar veten pas humbjes 0-2 në Zagreb.

Gjithsesi, golat e realizuar nga Olize në 52’ dhe Dembele 10 minuta para fundit nuk siguruan direkt kualifikimin, por përcaktuan që gjithçka do ta vendosnin penalltitë.

“Gjelat” e trajnerit Deshamp fituan 5-4, kur Upamekano shënoi dhe Stanishic gaboi. Portugalia, ndërkaq, nuk pati nevojë për 11-metërsha, por nuk qe aspak e lehtë.

Danimarka u mund 5-2, dhe kualifikimi u arrit me shifrat totale 5-3, veçse deri në minutën e 86-të luzitanët ishin të eliminuar. Edhe ata patën nevojë për kohën shtesë. Danezët barazuan dy herë me autorë golash Kristensen dhe Eriksen, por Trinsao shpëtoi vendasit në fund.

Në kohën shtesë, sënoi sërish Trinsao dhe pastaj Gonsalo Ramos. Kristiano Ronaldo realizoi një gol gjatë lojës dhe humbi një penallti, ndërsa pati kritika për lojën e tij. Portugalia do të luajë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve ndaj Gjermanisë, dhe Spanja me Francën.