Autoritetet në Maqedoninë e Veriut njoftuan se tetë nga 115 persona që po marrin trajtim jashtë vendit janë në gjendje kritike për jetën. Ndërsa në spitalet e vendit 55 pacientë janë në gjendje të qëndrueshme. Shifrat u paraqitën nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili interesimit të mediave iu përgjigj se është i fokusuar te shërimi i pacientëve dhe se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Ndërkohë priten informacione nga ecuria e mëtejshme e hetimeve ku të dyshuar janë gjithsej 34 persona përgjegjës për tragjedinë e Kocanit.
Gjithashtu informacion pritet për inspektimet në objektet publike në të gjithë vendin, për të cilat komunat do të koordinohen përmes Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale. 24 personave u është caktuar masa e paraburgimit përfshirë edhe tre krerët e Komunës së Koçanit, kryetari në largim Ljupço Papazov, ish-kryetarët Ratko Dimitrovski e Nikolço Iliev si dhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Beksteshi.
Qeveria në Shkup njoftoi një ditë më parë se do të nisë dhënia e paketës së ndihmave për familjet e prekura nga tragjedia e rëndë në Koçan. Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi gjithashtu njoftoi se qeveria mbulon të gjitha shpenzimet e familjarët e personave që po kurohen jashtë vendit. Zjarr që shpërtheu në klubin e natës “Pulse”, në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mëngjesin e 16 marsit, i mori jetën 59 persona dhe la të lënduar rreth 200 të tjerë. Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës, duke u përhapur me shpejtësi pas ndezjes së mjeteve piroteknike.