Presidenti amerikan, Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që sjell ndryshime të rëndësishme në ligjin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara. Sipas rregullave të reja, të gjithë qytetarët amerikanë do të duhet të dëshmojnë nënshtetësinë e tyre me pasaportë kur paraqiten për të votuar në qendrat e votimit. Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump përcakton gjithashtu se votat me postë që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve do të quhen të pavlefshme dhe nuk do të numërohen.
Ky vendim është në përputhje me qëndrimet që Donald Trump kishte shprehur prej kohësh, duke iu referuar veçanërisht zgjedhjeve të vitit 2020 kundër Joe Biden. Trump vijon të thotë se ato zgjedhje presidenciale “iu vodhën” megjithatë deri më tani nuk ka pasur asnjë prove për dicka të tillë. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet e miratuara mund të pengojnë miliona amerikanë të votojnë. Statistikat tregojnë se rreth 146 milionë qytetarë nuk kanë pasaportë, ndërsa nëntë për qind e popullsisë nuk ka dokumente të gatshme që dëshmojnë shtetësinë.
Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur vendimin, duke argumentuar se masat synojnë të parandalojnë votimin e emigrantëve të paligjshëm. Megjithatë, hetimet kanë treguar se ky fenomen është i rrallë dhe nuk ka ndikuar në rezultatet zgjedhore.
Për më tepër, urdhri i Trumpit i jep qeverisë federale të drejtën të ndalojë financimet për shtetet që nuk zbatojnë rregullat e reja. Megjithatë, ky vendim pritet të përballet me sfida ligjore dhe mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë.