Tammy Duckworth, një demokrate që është pjesë e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, ka reaguar për vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
“Një braktisje e turpshme e Ukrainës. Ky vendim nuk do ta bëjë vendin tonë më të sigurt.
Kjo do të inkurajojë Putinin dhe kundërshtarët tanë, ndërkohë që do të dobësojë marrëdhëniet tona me partnerët demokratë”, thotë ajo në X. Peter Welch, një demokrat i Senatit nga Vermont, ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij në platformën X. “Putini është një kriminel lufte. Zelensky është një hero. Trump është i dobët“, thotë ai.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi së fundmi se presidenti Trump sapo ka nënshkruar urdhrin për të ndaluar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, duke qenë se kreu i Shtëpisë së Bardhë edhe më herët ka pasur kritika për mënyrën sesi ajo është shpërdoruar, ku një pjesë e madhe e fondeve nuk dihet se ku ka përfunduar.
“Presidenti ka qenë i qartë se ai është i përqendruar te paqja. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi gjithashtu. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, u shpreh një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.