Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar sulme kundër rebelëve Houthi në Jemen. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump gjithashtu paralajmëroi Iranin se mbështetja për grupin duhet “të përfundojë menjëherë”. Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani raportuan për një seri shpërthimesh në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa të shtunën në mbrëmje.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Huthi tha se të paktën nëntë civilë u vranë.
Imazhet e shpërndara në internet tregojnë shtëllunga tymi të zi mbi zonën e kompleksit të aeroportit të qytetit, i cili përfshin një strukturë të madhe ushtarake.
Trump tha se sulmet ishin për shkak të sulmeve të Huthi-ve kundër anijeve në Detin e Kuq.
“Koha juaj ka mbaruar dhe sulmet tuaja duhet të ndalojnë, duke filluar që sot. Nëse nuk ndodh, ferri do të bjerë mbi ju si asgjë që nuk keni parë ndonjëherë më parë,” tha ai.
Trump tha se Irani do të mbahet “plotësisht përgjegjës” për veprimet e përfaqësuesit të tij, duke shtuar: “Dhe ne nuk do të tregohemi të mirë për këtë!”
Sulmet vijnë disa ditë pasi Huthi-t thanë se do të rifillonin sulmet ndaj anijeve izraelite që lundronin në ujërat e Jemenit në përgjigje të bllokadës së Izraelit në Gaza, megjithëse nuk ka pasur asnjë sulm të raportuar nga Huthi që atëherë.
SHBA, Izraeli dhe Britania kanë goditur më parë zonat e kontrolluara nga Huthi në Jemen.