Vlora mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, të cilët vizitojnë jo vetëm bregdetin e mrekullueshëm, por edhe vendet historike dhe kulturore. Shumë prej tyre rikthehen sërish, të impresionuar nga mikpritja dhe bukuritë natyrore të qytetit.

Ndër ta, një numër i konsiderueshëm turistësh vijnë nga Izraeli. Ata janë surprizuar kur kanë mësuar për ngritjen e një muzeu hebraik në Vlorë. Shumë prej tyre e kanë vlerësuar këtë si një nismë fantastike, duke kujtuar me mirënjohje ndihmën që populli shqiptar, dhe veçanërisht ai i Vlorës, u ka dhënë hebrenjve në periudha të ndryshme të historisë, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Unë vij nga Izraeli jam shef kuzhinë dhe kam 12 vite që organizoj ture kulinarie në Shqipëri. Na pëlqen natyra, mikpritja dhe ushqimi. Fakti që ne rikthehemi këtu do të thotë se jemi të kënaqur.

Sapo të ndërtohet muzeu do të ketë shumë turistë nga Izraeli sepse do të ketë dhe një linjë direkte fluturimi. Është shumë e rëndësishme për izraelitët për të parë se si kanë jetuar këtu paraardhësit”, tha turisti.

“Unë jam nga Rusia, por jetoj prej shumë vitesh në Izrael me bashkëshortin. Tani e mësova se këtu do ndërtohet një muze dhe jam e lumtur për këtë fakt”, tha një turiste.

“Dëgjova rreth faktit se shqiptarët kanë mbështetur izraelitët gjatë luftës së dytë botërore dhe është diçka e pazakontë sepse asnjë izraelit nuk iu dorëzua nazistëve”, u shpreh një tjetër turist.

Guida turistike Arjana Isaku konfirmon se Vlora dhe Shqipëria janë bërë destinacione gjithnjë e më të kërkuara nga turistët e huaj, përfshirë edhe ata izraelitë. Ajo shprehet se hapja e muzeut hebraik do të ndihmojë në rritjen e mëtejshme të interesit të vizitorëve nga Izraeli dhe vende të tjera.

“Kemi disa grupe që vijnë nga Izraeli. Ju ka pëlqyer natyra, historia por dhe çmimet e lira. Ato për herë të parë e morën vesh për muzeun dhe e kanë pritur me interes. Shpresojmë të mbarojë brenda 2025. Studioja që e ka projektuar është shumë e njohur. Ky muze do terheqë mjaft turistë”.

Me një trend në rritje të turistëve vit pas viti, Vlora pritet të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme turistike në Shqipëri, duke ofruar një kombinim të rrallë të historisë, kulturës dhe bukurisë natyrore.